ATHINE- Sot qytetarët grekë vendosin për ‘fatin’ e tyre. Ata do ti drejtohen kutive të votimit për të votuar pro ose kundër marrëveshjes me kreditorët ndërkombëtar. Pas disa ditësh tensione dhe orë kritike për shtetin helen, ditën e sotme do të votohet për referendumin, i cili do të quhet i vlefshëm vetëm nëse do të ketë një pjesëmarrje prej 40 për qind të popullsisë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, ndërsa pritet të mbyllen në orën 19:00. Sipas mediave greke, rreth orës 21:00 pritet të dalin rezultatet e para.

Referendumi i ditës së sotme në Greqi, i pari që prej 40 vjetësh, do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme në historinë e vendit. Referendumi i fundit që u mbajt në shtetin grek, ishte në vitin 1974 dhe i dha fund monarkisë duke vendosur Republikën.

Sakaq, kryetari i “Demokracisë së re”, Antonis Samaras deklaroi se grekët do të vendosin sot për fatin e vendit të tyre. Ndërkaq, ish-kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu pohoi se ‘votoj për të qëndruar në thelbin e Evropës’. Ndërkohë, mësohet se mediat e huaja kanë paraqitur një interes të jashtëzakonshëm për pasqyrimin e këtij procesi të rëndësishëm dhe delikat për qeverinë dhe popullin greke. Mësohet se në Athinë ka prezencë të gazetarëve dhe fotoreporter nga 44 vende të botës, ndërsa 699 përfaqësues të mediave janë akredituar.

Ciprasi është parë të votojë në një nga qendrat e votimit në Athinë, po ashtu edhe Presidenti grek. Liderët e qeverisë së SYRIZA-s i kanë kritikuar kushtet e ndihmës financiare duke i cilësuar si poshtëruese.

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis deklaroi dje gjatë një interviste për spanjollen ‘El Mundo’ se Bashkimi Europian nuk ka bazë ligjore për ta nxjerrë Greqinë nga euro. Nga ana tjetër, ai akuzoi kreditorët e Athinës se po përpiqen të krijojnë panik tek votuesit. “Pse mendoni që na detyruan të mbyllim bankat? Për të shkaktuar frikë tek njerëzit dhe përhapja e frikës quhet terrorizëm”-pohoi ai.

TSIPRAS: SOT DEMOKRACIA FITON NDAJ FRIKËS, NGA NESËR RRUGË DREJT EUROPËS
Ora 9:45- Kutive të votimit i është drejtuar dhe kryeministri Aleksis Tsipras. Pasi hodhi votën e tij, ai deklaroi para mediave se është optimist. Ai pohoi se sot demokracia fiton ndaj frikës. “Populli grek mesazhin se ka zgjedhje, jam optimist. Nga nesër për ne do të hapet një rrugë e re për të gjithë njerëzit drejt Evropës. Sot demokracia fiton ndaj frikës.”, tha Tsipras.

PRESIDENTI PAVLOPOULOS: QYTETARËT VENDOSIN PËR TË ARDHMEN
Ora 9:10- Prokopis Pavlopoulos teksa ka hedhur votën e tij për Referendumin, ka deklaruar para mediave se sot është dita e qytetarëve, të cilët sipas tij duhet të vendosin për të ardhmen. “Sot është dita e qytetarit, i cili duhet të vendosë mbi të ardhmen e vendit.Pavarësisht rezultatit që do të ketë ky referendum duhet të jemi bashkuar, edhe pse do jetë rrugë e vështirë”, tha Pavlopoulos.

PREJ 2 ORËSH KA NISUR VOTIMI PËR REFERENDUMIN
Ora 8:15- Që prej dy orësh qytetarët grekë i janë drejtuar kutive të votimit për referendumin. Ata do të votojnë pro ose kundër marrëveshjes me kreditorët ndërkombëtarë. Nga ana e vetë qeveria greke i ka bërë thirrje qytetarëve të saj të që votojnë ‘Jo’, ndërsa sondazhet e mbajtura në lidhje me këtë çështje tregojnë për një diferencë të ngushtë mes ‘Po’ dhe ‘Jo’.

REFERENDUMET NE SHTETIN HELEN
Ora 07:07- Në total, shtatë referendume janë organizuar në shekullin e 20-të në Greqi, nga vitit 1920 deri në vitin 1974, të përqendruar në dilemën monarki apo republikë në periudha të tensionuara, theksoi politologu, Ilias Nikolakopoulos. Këtë herë zgjedhësit do t’i përgjigjen pyetjes “Propozimi i paraqitur nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë Eurogrupit të 25 qershorit duhet të pranohet?”.

“Është hera e parë që zhvillohet një referendum që përfshin një çështje të karakterit politik ndërkombëtar dhe kombëtar dhe kjo është e një rëndësie të veçantë”, theksoi ai, përcjell tg. Një tjetër referendum për një propozim të kreditorëve të vendit (BE, BQE, FMN), përsa i përket borxhit grek dështoi në vitin 2011 duke çuar në rrëzimin e kryeministrit socialist, Jorgos Papandreu.

Referendumi që do të zhvillohet sot rrezikon të ketë pasoja politike afatshkurtra. Ministri i Financave, Janis Varufaqis ka theksuar tashme se do të jepte dorëheqjen në rast të fitores së “Po”-së. Cipras mbetet më evaziv duke u shprehur se do të reagonte në rast dështimi sipas parimeve të Kushtetutës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: