Pas një ndërprerje për më shumë se 7-vjeçare, është diplomuar këtë të martë kadeti i parë shqiptar në Akademinë ushtarake të West Point, në SHBA.
Ai është Enea Hilaj, i cili do t’i shtohet armatës së gjeneratës së re të oficerëve që do të shërbejnë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
I diplomuar për shkenca kompjuterike, pritet që njohuritë e fituara në këtë institucion prestigjioz ti zbatojë në vendin e tij.
Përvçse kënaqësisë personale dhe familjare që shoqëron një ngjarje të tillë në rrafshin individual ajo ka vlerë pasi sivjet festohet edhe 100 vjetori i marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Vizita e kryeministrit të vendit, Edi Rama i shoqeruar nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, Shefi i shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Bajram Begaj dhe Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, znj. Yuri Kim në West Point vitin e kaluar ka qenë një nga ngjarjet e shënuara në jetën e studentit shqiptar.
Pas ceremonisë zyrtare, sikurse e do edhe zakoni i kësaj akademie, pedagogë instruktorë, familjarë, shokë e miq të ftuar marrin pjesë në betimin ushtarak dhe vendosjen e gradave për oficerët e rinj. Emocionet në këto raste janë të papërshkrueshme ku nuk mugojnë as lotët e gëzimit.
Në lidhje me diplomimin e Hilajt ka reaguar dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili e vendos theksin te rinisja e diplomimeve për ushtarakët e rinj shqiptar nga Akademia e West point.
Postimi i plotë i ministrit Niko Peleshi
Pas më shumë se 7 vjet ndërprerjeje, rinisën diplomimet e ushtarakëve të rinj shqiptarë në Akademinë West Point në SHBA.
Enea Hilaj sapo përfundoi studimet në akademinë ushtarake më prestigjoze në botë, ku u diplomua për shkenca kompjuterike.