Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) kërkoi nga Ukraina që të heqë sloganin patriotik “Lavdi heronjve” nga bluza e saj për kampionatin Euro 2020.

UEFA tha se harta në bluzë nuk është problematike, porse kombinimi i dy frazave “Lavdi Ukrainës” dhe “Lavdi heronjve” ka “natyrë të qartë politike”.

Bluza e re u zbulua më 7 qershor nga presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Pavelko, i cili tha se “e gjithë Ukraina, nga Sevastopoli dhe Simferopoli në Kiev, nga Donjecku dhe Luhansku në Uzhhorod, do t’i mbështesë ata në çdo ndeshje”.

Rusia, të nesërmen, u ankua në UEFA, duke kërkuar “shpjegim” se pse bluzat, që në Moskë shihen si “provokim politik”, janë miratuar.

Moska, në mënyrë të veçantë, ishte e zemëruar me parullat dhe hartën, e cila përfshin Gadishullin e Krimesë. Ky rajon ligjërisht është pjesë e Ukrainës, por është aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
“Kombinimi specifik i dy parullave konsiderohet të jetë i natyrës politike, me rëndësi historike dhe militariste, kështu që parulla në bluzë duhet të hiqet”, tha UEFA.

Në një postim në Facebook, të enjten, Pavelko tha se ka udhëtuar drejt Romës për bisedime me UEFA-n, në lidhje me këtë çështje.

Slogani “Lavdi heronjve”… “ka qenë prej kohësh një urim tradicional për tifozët tanë në të gjitha stadiumet dhe në të gjitha ndeshjet e ekipit kombëtar të Ukrainës”, shkroi ai.

Kampionati Evropian Euro 2020 do të nisë të premten me ndeshjen midis Italisë dhe Turqisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: