Analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala folën për lidhjet e politikës me krimin e organizuar, referuar ngjarjeve të rënda të ndodhura ditët e fundit.

Në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, gazetarja Lala tha se ngjarjet kriminale do të vijojnë të tronditin vendin, për sa kohë të vazhdojnë lidhjet me politikën.

Sipas saj, pas çdo atentati mafioz, ka lidhje politika, ndërsa shtoi se “Nuk ka asnjë ngjarje në Elbasan që nuk është e lidhur indirekt me politikën”.

Pjesë nga diskutimet:
Lala: Në momentin që këta njerëz e blejnë lehtë drejtësinë dhe dalin përjashtë, e kthejnë në sport këtë hyrje-dalje në burgje.

Zheji: Eksponentë të lartë kriminalë kemi ndeshur edhe politikanë. Kanë bërë ato paratë e tyre, kanë skeletet e tyre në dollap, kanë bërë ato vite burg, i kanë marrë ato paratë e tyre dhe vazhdojnë të ngelen biznesmenë. Biznesmenët që njoh unë ka të tillë që e kanë kuptuar se shoqëria pas ’90 nuk kishte mënyra tjera, hynë, bënë çfarë bënë, e kuptuan se ajo rrugë të conte drejt vdekjes, dhe pastaj dolën nga kjo rrugë.

Lala: Janë aq të thella plagët, sa nuk ndalet më revanshi i krimit. E kemi thënë që krimi do të vijojë, sepse plagët janë shumë të thella.

Zheji: Janë djem nënash, kanë marrë jetë, kanë bërë krime, por nuk ua përjashtoj mundësinë për të bërë jetën e tyre. Regjistri i parë është drejtësia dhe policia, regjistri i dytë ka struktura, që i japin mundësi alternative jetës së tyre, që të pastrohen. Në Shqipëri po ndodh një fenomen, po vriten masivisht dhe askujt nuk i dhimbset jeta e tyre. Ka dhe nga ata që janë futur si muratorë, por në vend të rreshtojnë tullat, rreshtojnë kufomat. Nëse do të kishim drejtësi më të fortë, do të kishim shumë më të penduar.

Lala: Ne jemi në një realitet tjetër, sepse ne në burgje nuk i integrojmë të burgosurit. Është e pamundur që personazhe të tillë, që futen kaq thellë, që dinë kaq sekrete, të shpëtojnë. Bledar Muca ishte thesar në kuptimin e goditjes së grupeve kundërshtare, sepse kishte shumë informacione. Pas çdo atentati mafioz, pa diskutim që ka lidhje politika. Elbasani në tërësi është kriminalo-politik. Nuk ka asnjë ngjarje në Elbasan që nuk është e lidhur indirekt me politikën. Krimi i organizuar ka shtrirë gjithë influencën e vet në Elbasan. Nuk ka njeri që nuk e pranon në Elbasan. Mjafton të shkosh dhe të shohësh që 10 lokale rresht i përkasin një emri. Ata i dinë me emër dhe mbiemër. Unë kalova vetë atje dhe më thanë “Ti po kalon këtu?”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb