Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviç, në llogarinë e saj në Twitter ka njoftuar se policia e Serbisë, më 24 qershor, nuk e ka lejuar të largohet nga vendi, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar këto pretendime.

MPB-ja e Serbisë, në një deklaratë për mediat ka thënë se ka vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë së Tretë Themelore Publike.

“Në rastin e ardhjes së Rada Trajkoviç në aeroportin e Beogradit, policët kanë vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë së Tretë Themelore Publike. Andaj, trajtimi i zonjës Trajkoviç ka qenë me qëllim të dorëzimit të ftesës së prokurorisë kompetente dhe nuk janë të vërteta pretendimet se asaj i është ndaluar të largohet nga vendi”, thonë nga MPB-ja e Serbisë.

Rada Trajkoviç paraprakisht kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ishte dashur të udhëtonte për në Podgoricë, por policia, siç thotë ajo, e mbajti në ambientet e policisë për tre orë dhe më pas, ia dorëzuan fletëthirrjen në gjykatë dhe e liruan të shkojë në shtëpi.

Ajo tha se gjatë asaj periudhe “policia nuk i ka shpjeguar pse nuk mund të vazhdonin udhëtimin dhe se ajo duhet të paraqitet në Gjykatën e Tretë Themelore në Beograd më 27 qershor”.

“Në fletëthirrjen nuk thuhet, as policia nuk më ka thënë se për çfarë bëhej fjalë, as për çfarë krimi bëhej fjalë, as për çfarë thirrjeje, nëse isha dëshmitare apo e akuzuar. Asgjë”, tha Trajkoviç  për Radion Evropa e Lirë.

Siç ka shpjeguar ajo, gjatë ndalimit ka qenë “në ambientet e policisë në aeroport, që ngjate në bodrum”.

“Policia është rreth meje dhe po më ruan sikur të isha krimineli më i madh dhe më famëkeq në Serbi. Mua, një mjeke dhe një profesoreshë”, ka shkruar më parë Trajkoviç në Twitter.

Rada Trajkoviç është një politikane serbe nga Kosova. Ajo ishte deputete e koalicionit “Kthimi” në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e parë të pasluftës, nga viti 2001 deri në vitin 2004./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: