Qeveria në Tajlandë e bëri të ligjshme kultivimin e kanabisit me disa kufizime. Vendimi ka entusiazmuar kultivuesit tajlandezë të cilët shpresojnë në heqjen e të gjitha kufizimeve. Qeveria pret rritje të turizmit, ndonëse përdorimi i kanabisit po tejkalon kufizimet që janë të përcaktuara me ligjin tajlandez. Gazetarja e Zërit të Amerikes, Vijitra Duangdee sjell hollësitë me materialin në vijim.

Tajlandezja Piyatida Jantra e ka nisur rrugëtimin e saj si kultivuese e paligjshme e kanabisit, para tre vjetësh. Nga 9 qershori, ajo tani furnizon ligjërisht dispanseritë me prodhime kanabisi pasi Tajlanda u bë vendi i parë në Azinë Juglindore që e dekriminalizon atë.

“Zakonisht kultivoj variante që kanë rendiment të lartë dhe aromatike. Por gjithmonë më pëlqen të provoj të rris edhe kanabis nga kultivues të ndryshëm. Para se kanabisi të bëhej i ligjshëm, unë jetoja fshehtas dhe në frikë. Tani që marijuana u bë e ligjshme, jam e qetë”…thotë fermerja Piyatida Jantra.

Qeveria shpreson në përfitime nga marijuana mjekësore me shpresën se do të rrisë edhe turizmin.

Sipas ligjit tajlandez, kanabisi është i kufizuar për t’u përdorur në mjekësi ose ushqim dhe duhet të përmbajë më pak se 0.2 për qind tetrahydrocannabinol (THC), apo përbërësi psikoaktiv që stimulon pjesën e trurit të lidhur me kënaqësitë, si ushqimi dhe seksi.

Megjithë kufizimet, kanabisi në këtë vend po përdoret përtej asaj që është e lejuar me ligjin e ri.

Dyqanet, baret dhe shitësit ambulantë po shesin prodhime kanabisi, nga cigaret me kanabis e deri tek karamelet e mbushura me “terpene”, përbërësin kimik që i jep kanabisit aromën dhe shijen.

Një nga zonat e krahinës lindore të Tajlandës, Chonburi, shpreson të bëhet destinacion kryesor për marjiuanën mjekësore. Dekriminalizimi po ndihmon gjithashtu fermerët e vegjël të përfitojnë nga kjo industri me vlerë prej miliarda dollarësh.

“Sapo e kemi nisur një projekt për të punuar me 5,000 ferma në të gjithë Tajlandën për t’i trajnuar ata se si të kultivojnë kanabis paralelisht me mjekët, të cilët gjithashtu duhet të mësojnë përfitimet mjekësore të kanabisit. Ne gjithashtu po merremi me të rinjtë që mund të udhëtojnë këtu duke menduar se Tajlanda është “Amsterdami i Azisë”, thotë zonja Thepcharoen.

Lejimi i kufizuar i kanabisit kishte për qëllim të ndihmonte fermerët e vegjël si Piyatida. Tani për tani, porositë e saj kanë shënuar rritje. Por, parlamenti tajlandez do të diskutojë një projekt-ligj për kanabisin në javët e ardhshme për të përmirësuar ligjin.

Disa kanë frikë se ligji mund të elinimojë përdorimin jomjekësor duke dëmtuar kultivuesit e vegjël si zonja Piyatida. Kjo e fundit thotë nëse qeveria tajlandeze është serioze për këtë gjë, atëherë kufizimet duhet të hiqen në tërësi. Zonja Piyatida thotë se ëndërron për ditën kur mund t’i shikojë arat e mbuluara me kanabis, ashtu siç ndodh me fushat me misër./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb