Kryetarja e Bashkisë Shkodër denoncon në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit, duke kërkuar “Procedimin penal të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale.
Kallëzimi është dërguar sot në Prokurorinë e Shkodrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb