SHKODËR – Partia Socialiste ka shkarkuar sot edhe kryetarin e PS-së në Shkodër, Andi Hallunin dhe në vend të tij ka emëruar Gaspër Volajn. Lajmi është bërë i ditur nga burime të besueshme.

Shkarkimi i Hallunit duket se është rrjedhojë e përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga Grupi Parlamentar i kësaj partie. Halluni mbante edhe postin e drejtorit të OSHEE-s për qarkun e Shkodrës.

Por, pas këtij lajmi, vetë Halluni ka deklaruar për “News 24” se nuk ka dijeni për shkarkimin. “Nuk kam asnjë komunikim zyrtar, – tha Halluni. – Sapo jam ndarë me Kryetaren e PS-së për qarkun. Shkarkimi mund të jetë i vërtetë, por nuk kam ende dijeni.”

Deputeti Tom Doshi u përjashtua sot nga radhët e deputetëve socialistë pas akuzave të rënda të tij ndaj Qeverisë, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb