TIRANE- Kryeopozitari Lulzim Basha përfundon drekën e punës me 8 ambasadorë të Bashkimit Europian, përkatësisht të Gjermanisë, Hungarisë, Polonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Holandës si dhe të Belgjikës.

Temë diskutimi me ambasadorët ishte situata politike në vend, ku mësohet se kreu i PD-së ka shprehur shqetësimin për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në përfundim të takimit, kryedemokrati u shpreh optimist dhe i vendosur për të mos u tërhequr nga kushti kryesor, “realizimi i zgjedhjeve të lira”.

Basha ka shtuar se bisedimi me ambasadorët ishte mbështetës dhe shtoi se PD-ja do i shkojë deri në fund kauzës së saj.

‘BalkanWeb’ bëri të ditur më herët se diplomatët dhe kryeopozitari ishin mbledhur të gjithë në një lokal në kryeqytet.

Takimi përkon me ditën e 25 të protestës së opozitës, e cila prej 18 shkurtit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sakaq, dje Basha drekoi me ambasadorët të Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Danimarkës dhe Greqisë në një restorant në qendër të Tiranës.

Një javë më parë lideri i opozitës drekoi dhe me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu. Ndonëse ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe t’i bashkohet diskutimeve në Kuvend, kjo e fundit nuk ka pranuar, ndërsa vijon kauzën e saj, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe aleatët e tij opozitarë po drekojnë me një pjesë të Ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian me të cilët po diskutohet situata politike

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb