Udhëheqësi suprem i talebanëve në Afganistan, Mawlawi Haibatullah Akhundzada, porositi Qeverinë e re të Afganistanit që t’u përmbahet rregullave islamike dhe Ligjit islamik të Sheriatit.

Talebanët, që morën pushtetin në Kabul më 15 gusht, shpallën Qeverinë e re të Afganistanit të martën. Akhundzada u emërua udhëheqës suprem i Afganistanit, apo, siç e shpallën talebanët, Emiratit Islamik të Afganistanit.

Në një deklaratë të lëshuar në gjuhën angleze, Akhundzada u bëri thirrje zyrtarëve talebanë që “t’i mbrojnë interesat më të larta të vendit dhe të sigurojnë paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe zhvillim”.

Duke përmendur shkollimin, ai tha se Qeveria afgane “do ta ketë detyrë të sigurojë një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për shkencat fetare dhe moderne për të gjithë bashkatdhetarët, brenda kornizave të Sheriatit”.

“Unë i siguroj të gjithë bashkatdhetarët se figurat do të punojnë shumë drejt respektimit të rregullave islame dhe ligjit të Sheriatit në vend”, tha Akhundzada në deklaratën, e cila u shpërnda në gjuhën angleze.

Më vonë, ai përshëndeti “çlirimin e Afganistanit nga sundimi i huaj” dhe u zotua se qeveria e re do të fillojë të punojë “në rastin më të parë”.

Akhundzada tha gjithashtu se talebanët ishin të përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe traktateve dhe angazhimeve të Afganistanit që “nuk janë në kundërshtim me ligjin islam”.

“Ligji i Sheriatit- shtoi ai, – do të rregullojë të gjitha çështjet e qeverisjes dhe jetës në vend”.

Të paktën dy nga ministrat e rinj janë në listat e OKB-së ose SHBA-së të terroristëve. Të gjithë janë burra.

Ka shqetësime se shkollimi i vajzave do të pësojë nën regjimin taleban, ashtu si edhe liritë e tjera. Gjatë sundimit të mëparshëm të talebanëve, më 1996-2001, gratë nuk kanë mundur të dalin jashtë pa një shoqërues mashkull dhe shkollimi i vajzave ka qenë i ndaluar.

Ditët e fundit janë publikuar disa fotografi të universiteteve në Afganistan, që tregonin vajzat të ndara nga djemtë me perde, gjatë orëve të mësimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb