Banorët e një prej qarqeve më të varfra të vendit, Kukësit, po marrin shumë shpesh këto ditë fushate ndihma me pako ushqimore. Një ditë më parë banorët e shtresave në nevojë u njoftuan nga përgjegjësit e Njësive Administrative të tërhiqnin pakot ushqimore pranë magazinave të bashkisë se Kukësit.

“Ne Komuna na ka thirr, na kanë thënë të bashkisë japin. Në më dhënshin falimners, për jetimët i kam”, shprehen disa të moshuara.

“Mua më ka njoftuar shefi i Komunës Imisht”, thotë një tjetër banorë.

Drejtori i Shërbimit Social në Bashkinë e Kukësit Albert Iseberi pretendon se ndihmat janë donacione të shoqatave që jepen për shtresat në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe nuk kanë aspak lidhje me fushatën elektorale.

“Janë nga shoqata e jetimëve të Balkanit që në muajin e Ramazanit ka sjellë 100 pako të shtresave në nevojë. Kemi shpërndarë ndihma pothuajse gjatë vitit. Nuk ka lidhje me fushatën elektorale”, shprehet ai.

Kodi zgjedhor parashikon se me fillimin e muajit të fushatës zgjedhore, ndalohet dhënia e ndihmave për qytetarët, pasi kjo konsiderohet si një mënyrë për të ndikuar votën e tyre. Megjithatë as ligji mesa duket nuk është frenues që forma të tilla të përdoren si një mënyrë për të ndikuar banorët e varfër të zonës në përzgjedhjen e kandidatit.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: