“Nuk kam shkelur ligjin”. Kështu mësohet të ketë deklaruar ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako sot në gjykatë, teksa po përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të dokumenteve. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dëshminë e Dakos, i cili ka mohuar akuzat, ndërsa sot GJKKO do të caktojë ndaj tij masën e sigurisë.

Përpara gjykatës ai ka dhënë sqarime, në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve. Sipas Dakos kjo procedurë Prokurimi Publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni. Burime brenda seancës bëjnë me dije se kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender.

Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie. Avokati i tij mbrojtës, Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e arrestit shtëpiak, detyrim për t’u paraqitur, apo edhe garanci pasurore. Ndërkohë, seanca vijon ku janë të pandehurit e tjerë që po japin shpjegimet e tyre për akuzat e ngritura nga SPAK.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb