Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë Kodin Zgjedhor. Në vendimin e fundit, Kushtetuesja ka shfuqizuar pragun 1% për kandidatët e pavarur.

Kodi Zgjedhor, neni 162, thotë se nuk merr mandat deputeti i pavarur që nuk kalon pragun 1%. Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kandidatit të pavarur, Elton Debreshi.

Sipas Kushtetueses, fjalia e dytë e nenit 162 të Kodit Zgjedhor e papajtueshme. Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja rrëzon Kodin Zgjedhor, pasi hera e parë ishte për herësin.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb