TIRANË

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ishte një nga mjekët e parë që u prek nga koronavirusi në Shqipëri dhe tashmë ai po shkon drejt shërimit të plotë.

Në një intervistë në “Real Story” në News24, ku kolla e ngacmonte ndonjëherë, Brataj tregoi se si filloi sëmundje dhe simptomat e saj. Ai tha se në fillim pati këputje dhe më pas shpërtheu temperatura dhe ishte një gjendje e padurueshme.

“Patjetër janë simptoma të sëmundjes. Shërimi i plotë është kur zhduken simptomat. Shumë herë privatësia e çdonjërit nga ne është personale por unë nuk mund ta mbaj dot për vete sepse kam pasur një mbështetje që nuk e prisja. Nuk e prisja që njerëzit të ishin kaq të ndjeshëm dhe kaq solidarë. Veç sëmundjes kam dhe fatin që po shërohem 100%. Nuk ka ngelur media apo gazetar që nuk më ka uruar apo dërguar një mesazh. Në datë 18 ose 19 dhashë një intervistë në Skype tek Neës24 dhe të gjithë më thoshin që dukeshe shumë i lodhur. Ditët e para ishte një këputje, një lodhje. Po thosha hë mo lodhje. Pas dy ditësh shpërtheu temperatura, ethe, dhimbje, kollë, një gjendje e padurueshme e organizmit, sikur të kanë goditur të kanë rrahur. Një ‘mal esere ‘e përgjithshme. Nuk rrije dot ulur, nuk rrije dot shtrirë, por fuqi nuk kishe që të lëvizje. Temperatura ishte më sfilitëse”, tregoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb