VLORË

Policia e Vlorës ka bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme në Selenicë, ku mbeti i plagosur një person.

Më datë 26.09.2019, në fshatin Kotë, pranë vendit të quajtur “Qafa e Dushkut”, Bashkia Selenicë, shtetasi A. N., i punësuar si rojë në një firmë të përpunimit të inerteve, ka goditur me automjet për motive të dobëta shtetasin P. D., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit A. N., policia gjeti një mjet prerës thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale si armë e ftohtë.

Në këto kushte, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. N., 38 vjeç, banues në fshatin Lepenicë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasit: P. D., E. R., E. D. dhe D. T, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur me fjalë përfaqësuesit e firmës së përpunimit të inerteve.

Gjithashtu, nga hetimet e mëtejshme, Policia ka proceduar në gjendje të lirë për “Njoftim të rremë në organet e rendit” shtetasit: Y. S. (pronari i firmës) dhe B. H. (tekniku i kësaj shoqërie), pasi këta shtetas kanë njoftuar se janë dhunuar fizikisht, fakt i cili nuk ka rezultuar të jetë i vërtetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb