Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi vendosjen e taksës për mallrat që hyjnë në SHBA nga Meksika, si përpjekje për të frenuar imigracionin.

Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se nga 10 qershori do të vendoset një taksë prej 5%.

Ai gjithashtu tha se taksa do të rritet në mënyrë graduale derisa problemi i imigrimit ilegal përmes territorit të Meksikës të zgjidhet plotësisht.

“Më 10 qershor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vendosin taksën prej 5 për qind ndaj të gjitha prodhimeve që hyjnë në vendin tonë nga Meksika derisa imigrantët ilegalë që vijnë nga ky shtet të ndalen. Taksa do të rritet shkallë-shkallë derisa të zgjidhet ky problem”, shkroi Trump në Twitter.

Ndaj këtij njoftimi ka reaguar menjëherë edhe presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili i dërgoi një letër dyfaqëshe presidentit amerikan. “Statuja e Lirisë nuk është një simbol bosh. Pavarësisht respektit të plotë, ndaj asaj që thoni se do ta bëni Amerikën madhështore përsëri, po ju them se ky është një mashtrim, sepse drejtësia e përgjithshme duhet të triumfojë”, shkruhet në letrën e presidentit Obrador.

Trump e ka akuzuar qeverinë meksikane për dështim lidhur me masat për parandalimin e grumbullit të imigrantëve nga Amerika Qendrore, të cilët po përpiqen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara, shkruan “The Guardian”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb