Ka qenë një festë ndryshe kjo e 1 Qershorit, në institucionin e Riedukimit të të miturve në Kavajë. Prindërit janë takuar e kanë kaluar kohë fizike pas më shumë se 12 muaj me fëmijët e tyre që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale. Ka pasur lot e përqafime të gjata midis prindërve dhe fëmijëve të tyre në takim, për shkak se Drejtoria e Burgjeve kishte pezulluar çdo takim me të afërmit si rezultat i pandemisë.

Ministria e Drejtësisë organizoi një aktivitet kulturor e artistik, ku vetë të miturit që vuajnë dënimin në këtë institucion, apo janë në hetim e sipër, kanë shpalosur talentin e tyre në poezi, pikturë e recitim.

Të miturit nga mosha 14 deri në 18 vjeç janë dënuar për krime të ndryshme, duke nisur nga vjedhjet, grabitjet me armë, krimet seksuale etj.
Nëna e një 15-vjeçari i dënuar si bashkëpunëtor i rojës së shkollës, në Babrru Abaz Dokut për përdhunimin e një 15-vjeçareje në Tiranë, thotë se nga minorenët e arrestuar vetëm djali i saj u dënua me 3.5 vjet burg. Dhurata Hysenllari tha se djali i saj i mitur, aktualisht 15 vjeç, është duke vuajtur dënimin ndërsa një tjetër djalë u lirua vetëm dy muaj pas arrestimit.

“Hera e parë që është dënuar. E kemi hedhur në Apel, në datën 15 është gjyqi, shpresojmë të bëhet ndonjë gjë”, thotë nëna.
Në Kavajë gjendet edhe minoreni i cili u arrestua për grabitje të argjendarisë në Vlorë.
17-vjeçari është në proces hetimi. Nëna e tij e revoltuar thotë se kishte një muaj që kish bërë denoncim për të gjetur djalin, por policia nuk kish vepruar, derisa djali i saj u kap i armatosur pas grabitjes së argjendarisë.
“Është penduar sepse është 17 vjeç. Është ndikuar nga mosha e tij, nga shoqëria e tij. Kishte një muaj që ishte larguar nga shtëpia”, thotë ajo.
Të tjerë të rinj janë për krime më të vogla, por që janë dënuar maksimalisht.
Si përsëritës i vjedhjeve të ndryshme një minoren është dënuar me 5 vjet heqje lirie ndërsa babai i tij shpreson që djali të rehabilitohet.
“Ka bërë vjedhje me një shok tjetër dhe janë dënuar. Ky 5 vite, ai tjetri 8. Janë penduar, por dënimi na duket se ia dhënë të rëndë, por aq e parashikuan”, shprehet babai.
Teksa paralajmëroi se masat që u vunë për shkak të pandemisë në burgje do të pësojnë lehtësim, zëvendësministri i Drejtësisë Klajdi Karameta u shpreh se sfidë pas përfundimit të dënimit për këta të mitur mbetet riintegrimi në shoqëri.

“Masat e kufizimit janë bërë për arsyen e mbrojtjes së shëndetit si të të miturve që janë brenda në institucion ashtu dhe të prindërve dhe stafit. Drejtoria e Përgjithshme bashkë me ministrinë është në bisedë dhe besoj brenda këtij muaji do të dalim me vendim për një lirim, duke pasur gjithmonë parasysh mbrojtjen e shëndetit të stafit dhe të të miturve. Ne këta nuk i konsiderojmë si të dënuar, por i konsiderojmë si njerëz të cilët kanë nevojë për një program special. Ajo që ne dëshirojmë është që këta këtu, mundësisht sa më shumë të shkëputen nga bota e problemeve që ato mund të kenë jashtë me mundësinë e një riintegrimi të suksesshëm në shoqëri, kur të lënë institucionin”, tha Karameta.
Në institucionin e riedukimit të të miturve në Kavajë qëndrojnë të mitur nga i gjithë vendi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb