Shumë luftëtarë talebanë janë shpërngulur në disa qytete të Afganistanit qëkur morën pushtetin, ndërsa shumë prej tyre “ia panë hajrin” jetës në qytet për herë të parë në jetë.
Këta luftëtarë, shumë prej të cilëve me origjinë fshatrat, kishin bërë jetë modeste, të përqendruar tërësisht në luftë. Por tashmë rrethanat kanë ndryshuar që nga fitorja e tyre me ikjen e amerikanëve në gusht 2021. Sabawoon Samim ka intervistuar pesë anëtarë të talebanëve që janë transferuar në Kabul, qytetin që e konsideronin zemrën e “pushtimit të huaj” me “qeverinë kukull” dhe një popullatë të degraduar nga jeta perëndimore.
Por si u duket Kabuli dhe njerëzit? Çfarë bëjnë ata për të fituar bukën e gojës? Si ja bëjnë për të zbatuar orarin zyrtar të punës në një qytet plot me trafik dhe miliona rezidentë? Si e kanë gjetur ata Kabulin aktual dhe njerëzit e tij, dhe çfarë mendojnë për të fituar jetesën për herë të parë, për të mbajtur orarin e punës dhe për të jetuar në një qytet me miliona banorë të tjerë?
Pasi morën frenat e pushtetit në Afganistan në gusht 2021, një numër i madh talebanësh nxituan për t’u shpërngulur në Kabul. Pjesa më e madhe e tyre u lind në familje në zonat rurale ndërsa jetën e kanë kaluar në fushëbetejë. Për ta ishte hera e parë që vinin këmbë në kryeqytet. Kabuli kishte ndryshuar shumë nga koha e fundit kur talebanët ishin në pushtet, rrënojat e luftës së dekadave më parë ishin zhdukur dhe qyteti ishte rindërtuar.
Sabawoon Samim intervistoi pesë talebanë nga mosha 24 deri 32 vjeç, të cilët kishin kaluar 6 deri 11 vjet me talebanët. Mbanin detyra të ndryshme, njëri ishte komandant i talebanëve, një snajperist, një zëvendës komandat, dhe dy luftëtarë të thjeshtë. Të pestë talebanët ishin nga Paktika, Wardak, Logar dhe provinca e Kandaharit.
Historia e tyre është pak a shumë e njëjtë, ata u bashkuan me talebanët kur ishin adoleshentë. Sot janë “zyrtarë” pasi kanë siguruar punë në qeveri. Dy prej tyre u emëruan në administratë, tre të tjerë në dikastere të sigurisë, një është me punë në ministrisë e brendshme të talebanëve dhe tjetri pjesë e Forcave të Armatosura të Talebanëve. Të gjithë jetojnë në Kabul, nuk i kanë tërhequr familjet e tyre dhe në vendlindje shkojnë vetëm gjatë pushimeve zyrtare.
Omar Mansur, 32 vjec nga distrikti i Paktika, i martuar, babai i pesë fëmijëve thotë se kur erdhën amerikanët ai ishte vetëm 11 vjeç.
“Pasi na pushtuan dëgjoja bombardimet gati përnatë, aty u binda për luftën. I braktisa studimet dhe për 14 vitet e fundit i jam bashkuar talebanëve. Tani jam me punë në ministri, familjen time nuk e kam këtu. Qiratë e shtëpive janë çmenduri, 15000 afganis, apo 180 dollarë në muaj. Do më mjaftonin në vendlindjen time në Yahyakhel por jo këtu në Kabul. Me ndihmën e Zotit do kem dhe unë një pagë më të lartë që të tërheq familjen time. Nuk kisha qenë kurrë më parë në Kabul, kisha dëgjuar në radio që është rindërtuar shumë bukur nga amerikanët dhe ish presidenti Hamid Karzai. Por në fakt nuk është aq bukur sa duhet të ishte pasi amerikanët shpenzuan shumë para këtu por në vend t’i shpenzonin duke ndërtuar ndërtesa të larta paratë shkuan në xhepat e Marshall Kasemit, në ish qeverinë Karzai. Ajo që nuk më pëlqen në Kabul është trafiku. Muajt e parë kur erdhëm këtu, e duronim por pastaj u bë i padurueshëm.
Njerëzit ankohen se talebanët u sollën varfërinë, aman shikoni pak trafikun, numrin e njerëzve, pazaret, restorantet, pyes veten ku është varfëria? Një gjë tjetër që nuk më pëlqen në Kabul janë këto rregullat e reja, kufizimet pra. Më parë kishim një lloj lirie se ku të shkonim , ku të qëndronim, apo ku të nisnim një luftë. Gjithsesi këto ditë duhet të shkojmë në zyrë nga ora 08.00 deri në orën 16.00. Nëse mungojmë na pritet dita e punës dhe nuk e mbajnë tek paga. Ne nuk jemi mësuar fare me këtë, ishte aq e vështirë të mësohesha të paktën në tre muajt e parë që mora postin në ministri.
Problemi tjetër që kam në Kabul është se shokët e mi tani janë të shpërndarë në të gjithë Afganistanin. Ata në Kabul, si unë, punojnë nga 08.00 e mëngjesit deri në 16.00 pasdite. Pra, pjesën më të madhe të javës, nuk kemi kohë për t’u takuar. Vetëm të premteve, nëse nuk shkoj në shtëpi, shkojmë të gjithë në parkun Qargha, në Paghman ose Zazai. Ajo që më pëlqen në Kabul është pastërtia, modernizimi, ndërtesat, rrugët, elektriciteti, lidhja e internetit. Mund të gjesh taksi edhe në mes të natës, ke spitale tek dera e shtëpisë, janë shkollat, qendrat e edukimit, medresetë që janë të hapura në çdo lagje. Por këtu ka edhe diversitet etnik”, thotë ai.
Huzaifa, 24 vjec, nga distrikti i Zurmat, babai i dy fëmijëve dhe snajperist thotë se e la medresenë në moshën 13 vjecare pasi një shok e bindi që të bashkohej me talebanët.
“Familja më ndaloi, donte të ikja në Emiratë ndërsa komandantit tim i tha të mi hiqte gradat. Familja më tha të kthehesha në shtëpi që të fejohesha. Por unë isha mësuar me jetën e re, me shokët aty, e kisha të vështirë t’i lija. Kisha dashuri për martirizimin, ne të gjithë po sakrifikonim për xhihadin. Unë isha snajper në Paktia. Në kohën e xhihadit jeta ishte fare e thjeshtë, bënim plane sesi të sulmonim armikun. Njerëzit nuk prisnin shumë nga ne, dhe ne nuk është se kishim shumë përgjegjësira kundrejt tyre, ndërsa tani nëse dikush është i uritur ne automatikisht jemi përgjegjës për gjendjen e tij. Pasi u zhvendosëm në Kabul më dhanë detyrë zyrtare në ministrinë e brendshme. Kabulin e shihja për herë të parë në jetë, në fillim kisha idenë se këtu ishte plotë me njerëz të këqinj, por për të qenë i sinqertë pasi takova disa njerëz këtu, kuptova sa gabim e kisha këtë mendim.
Por sigurisht nuk mungojnë dhe aspektet negative psh, mbështetja që i kanë dhënë armikut, amerikanëve, gratë që nuk vishen siç duhet, djemtë që flirtojnë me vajzat dhe që qethen si amerikanë. Por ja që këto probleme sot ekzistojnë edhe në zonat rurale. Kur erdhëm në Kabul na iku mendja, është qytet i madh, nuk dinim të orientoheshim. Çdo gjë ishte e çuditshme për ne, madje ne ishim të çuditshëm për rezidentët, ata kishin frikë të ngrinin zërin ndaj nesh. Por ja që asnjë nuk bëri zë kur u imponuam rregullat. Na habiti fakti sa frikacakë ishin ushtarakët apo policët. Edhe pse ishin të pakët në numër nqs do ngrinin armët kundra nesh ne as do kishim shanc të shkelnim në Kabul duke marrë parasysh armët moderne që ata kishin. Faleminderit Allahut se fitoren e morëm me ndihmën e tij.
Një gjë tjetër që nuk më pëlqen tek Kabuli është se këtu ka njerëz nga gjithë Afganistani. Pra nga 34 provincat, ka shumë kriminelë që ja kanë dalë dhe këtu kryejnë aktivitetin e tyre ilegal. E kemi të vështirë të luftojmë krimin sidomos grabitjet. Shumë gra vijnë dhe ankohen, janë viktima të dhunës. Kryetari i hawza-së dhe muxhahedinët e tjerë i kushtojnë shumë vëmendje zgjidhjes së problemeve të tyre. Gjatë ditëve të para kur erdhëm në Kabul, shumë gra na afroheshin por ne u fshiheshim sepse ne gjithë jetën tonë ne nuk kemi komunikuar me gra që nuk i njhnim. Por tani ne u flasim grave, se jemi zyrtarë, kemi autoritet dhe jemi të vetmit që mund tu zgjidhim hallet. Më pëlqen Kabuli, kemi punët këtu, dua të marr familjen time këtu.
Ndryshe nga jeta në fshat asnjë nuk të bezdis këtu dmth nuk u intereson çfarë bën ti me jetën tënde, se çfarë vesh, kush të vjen në shtëpi e kush ikën, njerëzit nuk të ndërhyjnë në punë as të përflasin pas shpinës. Por ajo që nuk më pëlqen janë rregullat e kufizimet. Kush isha taleban isha i lirë, tani duhet të rrimë në një vend, pas një tavolinë dhe një kompjuteri të mallkuar për 24 orë, shtatë ditë në javë. Është bërë kaq jetë rutinë. Cdo ditë të njëjtat gjëra bëj. Kam zëne miq të rinj, kur dal më ta më bëjnë presion të dëgjoj muzike në makinë. Në fillim kam rezistuar, por tani jam dorëzuar u kam kërkuar ta mbyllin muzikën kur kalojnë në pikat e kontrollit ku ka talëbanë, e di që nuk e pëlqejnë farë muzikën.”, thotë ai
Kamran, 27 vjec nga provinca, Wardak , i martuar me dy fëmijë, zëvendës komandant i grupit të talebanëve thotë se studimet i braktisi për xhihadin kur ishte 19 vjeç.
“Në provincën tonë amerikanët linin trupa të vrarë, aty në vendlindje janë zhvilluar shumë beteja. Tre vjet isha zëvendës komandant i talebanëve. Kam jetuar me frikën se do vritesha nga dronat e amerikanëve, na ndiqnin si hije. Shpesh bombardonin pozicionet tona. Rrethanat kanë ndryshuar me ndihmën e Allahut,tani shkojmë ku të duam. Kemi liri në mbarë vendin. Me punë jam në ministrinë e brendshme, jam i lumtur por shpesh me merr malli për kohët e xhihadit. Më parë cdo gjë e bënim në emër të Allahut, sot është e kundërta, është priritet mbushja e xhepave me lek dhe fama. Tani kemi makina zyrtare.
Nëse dikush emërohet në zyrë shteti pyetja e parë që bën është: A kam makinë të caktuar për postin? Ne jemi mësuar të jetojmë mes popullit, por tani ndihemi të “burgosur” në zyra, e kemi braktisur jetën modeste. Jam shumë i shqetësuar për muxhahedinët, se tani është testi i së vërtetës jo gjatë xhihadit. Atëherë ishte kollaj fare, por tani gjerat janë komplikuar së tepërmi. Tani këta duan makina, pasuri e gra. Nuk e konsideroj fare ta sjell familjen time këtu, në fshat në vendlindje njerëzit i ke krahë në kohë të vështirë, në Kabul e kundërta. Njerëzit këtu s’kanë kohë as të të ndihmojnë të gjesh rrugën. Njerëzit janë gjithmonë në nxitim, i merr rutina. Ata mendojë se po mungove një ditë në punë, bëhet hataje dhe mund të vdesin nga varfëria. Unë e kam vendin ne fshatin tim, nuk e imagjinoj si do jetoja pa të”, shprehet ish talebani.