Dy anije të tjera, me misër dhe sojë, u nisën sot nga portet ukrainase në Detin e Zi, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Deri më tani, gjithsej dhjetë anije janë larguar nga Ukraina që nga java e kaluar, kur anija e parë u nis pas një marrëveshjeje me Rusinë për të rifilluar eksportet e grurit.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen muajin e kaluar pas paralajmërimeve se ndërprerja e eksporteve të drithërave për shkak të konfliktit mund të çojë në mungesa të rënda ushqimore dhe madje edhe uri në disa pjesë të botës.

Sacura, e cila lundroi nga Yuzhny, po transporton 11,000 ton sojë në Itali, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes, ndërsa Arizona, e cila lundroi nga Chornomorsk, po transporton 48,458 ton misër në Iskenderun (Alexandretta), në Turqinë jugore.

Katër anijet që u nisën dje nga Ukraina, pritet të ankorohen sonte pranë Stambollit, sipas të njëjtit burim, i cili shtoi se do të inspektohen nesër.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: