Përveç njohjes nga Izraeli dhe vendosjes së raporteve diplomatike me këtë shtet, Kosovës i ka ardhur edhe një lajm i mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që është derivat i marrëveshjes së 4 shtatorit të nënshkruar nga Avdullah Hoti dhe Donald Trump në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Tashmë ka hyrë në fuqi marrëveshja për investime nxitëse e Korporatës Amerikane Për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), e cila është edhe pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë DFC përmes një njoftimi zyrtar në “twitter’, i cili është rishpërndarë edhe nga faqja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

“Marrëveshja e re e DFC-së për Investime Nxitëse ka hyrë në fuqi, duke ia mundësuar DFC-së vendosjen e serisë së plotë të produkteve financiare në Kosovë”, është bërë e ditur të enjten në faqen zyrtare të DFC-së në Twitter.

Nga zyra e Departamentit të Shtetit në Evropë kjo marrëveshje po cilësohet si forcim i mbështetjes së SHBA-së në zhvillimin e ekonomisë së Kosovë me krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjes së investimeve.

“Njoftimi i sotëm forcon angazhimin e SHBA për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. IIA e DFC-së me Kosovën do të ndihmojë në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune”, thuhet në reagim.

Në pikën 3 të marrëveshjes së Washingtonit përshkruhen përfitimet që do të ketë Kosova nga fondet e DFC-së dhe EXIM.

Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

-Autostradën e paqes
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare
-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë
-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-Projekte shtesë dypalëshe
-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Për jetësimin e marrëveshjeve që ndërlidhen me investimet e DFC-së në Prishtinë gjatë shtatorit kishte qëndruar edhe Adam Boheler, i cili kishte nënshkruar marrëveshjet me kryeministrin, Avdullah Hoti.

Në dokumentin e nënshkruar më 21 shtator 2020 nga Hoti dhe drejtori i DFC-së, Adam Boehler, thuhej: “Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për nxitjen e investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb