Emisioni “Të Paekspozuarit” në News24 publikoi sonte ekskluzivisht bisedat që zhvillon kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako me pjestarë të bandës së Avdylajve pak ditë para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.

Në emisionin e Ylli Rakipit janë treguar dy nga mbi 20 bisedat që mendohet se janë në dosjen e prokurorisë që mban numrin 339. Dako del një herë kur trafikantët flasin për të dhe herën tjetër kur ai me numrin personal të celularit që përfundon me shifrat 99 300 i telefonon numrit 2 të grupit, Altin Avdyli (që e thërrasin Niçja) në 27 qershor 2017.

Dyshimet që lindin nga këto biseda janë se ai e ka përdorur bandën shijakse të trafikut të kokainës për qëllime elektorale të PS-së duke vërtetuar kështu tezën e opozitës se Rilindja i ka toleruar bandat duke kërkuar si këmbim ndihmën e tyre në zgjedhje.

Dako 1 Pergjime
Dako 1 Pergjime

Në bisedën e parë Vangjush Dako, komunikon me Altin Avdylin, alias, “Niçe” dhe i kërkon atij takim me Astrit Avdylin, kreun e grupit të Shijakut, për ta falenderuar.

Në bisedën e dytë Altin Avdyli (Niçja), komunikon me një person të paidentifikuar, një ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Në këtë bisedë personi i paidentifikuar i kërkon Niçes, para nga “Vangjushi”, për të blerë vota.

Dako 2 Pergjimi
Dako 2 Pergjimi

Prej më shumë se dy vitesh PD insiston se në përgjimet e nisura nga Gjermania, për të cilat prokuroria shqiptare ka filluar çështjen në Dhjetor 2016 ka dalë edhe emri i kryebashkikaut të qytetit të dytë më të madh në vend.

Vetë kjo dosje që mori emrin “NR 339” ka një odise të veçantë. Ajo fillimisht iu caktua prokurorit Anton Martini. Por në kohën kur ende Adriatik Llalla ishte kryeprokuror ai u shmang, u emërua në Shkodër dhe dosja ra në duart e Besim Hajdarmatës që ishte njëkohësisht edhe shefi i Prokurorisë për krimet e rënda.

Por, pasi Arta Makru u vendos në krye të institucionit të akuzës me votat e PS, ajo jo vetëm e shkarkoi Hajdarmatajn nga drejtues, për ta zevendesuar me Donika Prela, por duke e transferuar i hoqi atij nga duart edhe dosjen ku dilte emri i Dakos.

Ajo ia caktojë atë dy prokurorëve të tjerë Dritan Prençi dhe Vladimir Mata. Dhe papritmas kjo dosje me mbi 30 mijë faqe, që vetëm për të lexuar fizikisht do kërkonte javë të tëra, brenda 10 ditësh u çua në gjykatë…..

Por ndërkohë ç’kish ndodhur?
Për Vangjush Dakon, gjoja për të hetuar më thellë, u hap dosja 339/1 dhe kështu emri i tij u tentua të mbahej i fshehtë për të mos goditur politikisht qeverinë.
Pikërisht materialet ende sekret të 339/1 kanë ‘rrjedhur” deri tek emisioni “Të Paekspozuarit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb