Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të vizitojë Panamanë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës, tha një burim sot për Reuters. Vizita vjen mes paralajmërimeve të Presidentit Donald Trump për të “marrë përsëri” Kanalin e Panamasë nga SHBA, një deklaratë që ka zemëruar shtetin e Amerikës Qendrore.

Rubio pritet të niset më 31 janar dhe të udhëtojë gjatë javës së parë të shkurtit, duke bërë ndalesa shtesë në Guatemalë, Republikën Domenikane, Kosta Rika dhe El Salvador, sipas burimit të njohur me agjendën.

Orari i udhëtimit është ende duke u përpunuar dhe rendi në të cilin kreu i ri i diplomacisë amerikane do të vizitojë ato vende mund të ndryshojë, shtoi burimi.

Kur u kontaktua për koment, Departamenti i Shtetit tha se nuk kishte plane udhëtimi për të njoftuar në këtë kohë. Në fjalimin e tij të inaugurimit të hënën, Trump përsëriti kërcënimin e tij se Uashingtoni do të “marrë përsëri” kontrollin e Kanalit të Panamasë, një rrugë strategjike detare që lidh oqeanin Atlantik dhe Paqësor.

Kanali, i ndërtuar nga SHBA, u hap në vitin 1914 dhe kontrolli i tij iu dorëzua Panamasë në vitin 1999, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me vendin nga ish-presidenti amerikan Jimmy Carter.

Miliarderi republikan i sapo kthyer në Shtëpinë e Bardhë përsëriti pretendimin se vendi i tij po trajtohet “në mënyrë të padrejtë” nga Panamaja dhe se kjo “dhuratë” nuk duhej t’i ishte “dhuruar” kurrë vendit. “Premtimet që na janë bërë nga Panamaja nuk po mbahen”, tha ai, duke këmbëngulur se kostot e tranzitit të anijeve amerikane janë të fryra, pavarësisht mohimeve kategorike të autoritetit kompetent. “Mbi të gjitha, Kina shfrytëzon Kanalin e Panamasë dhe ne nuk ia dhamë Kinës, ia dhamë Panamasë dhe ne do ta kthejmë atë”, tha ai, pa sqaruar se si.

Duke reaguar menjëherë pas këtij fjalimi, presidenti i Panamasë, Jose Raul Molino, deklaroi se Kanali “është dhe do të vazhdojë të jetë i Panamasë”.

Dje, në fakt, Molino nga Davos theksoi se Kanali i Panamasë nuk ishte një “dhuratë” nga SHBA-të. “Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe do të vazhdojë t’i përkasë Panamasë. Kanali i Panamasë nuk ishte një koncesion apo dhuratë e Shteteve të Bashkuara”, ka përsëritur ai në një tryezë të rrumbullakët të organizuar me rastin e sesionit të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër.

Të martën, qeveria panameze i shprehu Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres shqetësimin e saj mbi synimin e përsëritur publik të presidentit të ri të SHBA-së për të vendosur Kanalin nën kontrollin e SHBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb