Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk besojnë se Rusia do të përdorë armë bërthamore, pavarësisht përshkallëzimit të retorikës së fundit nga Moska, tha sot një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë aftësitë bërthamore (ruse) sa më mirë që mundemi në baza ditore dhe nuk konsiderojmë se ekziston një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore ose një kërcënim për territorin e NATO-s,” i tha ai Reuters, por duke kërkuar që emri i tij të mbetet anonim.

Më herët, agjencia Reuters citoi zyrtarë amerikanë të cilët deklaronin se disa sulme ruse në Kiev duket se kishin për qëllim shkatërrimin e njësive të industrisë së mbrojtjes, duke vënë në dukje se këto sulme janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Rusisë për të kufizuar aftësinë e Ukrainës për të rimbushur dhe forcuar armatimet e saj.

“Disa nga goditjet në Kiev, ne besojmë se kishin për qëllim objektet e prodhimit ushtarak. E di që ka raportime se rusët kanë goditur zonat e banuara dhe ne nuk kemi arsye të dyshojmë për këtë, por nuk jemi 100% të sigurt se ata synonin të godisnin këto zona”, shtoi ai.

Pak ditë më parë presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se cilido shtet që do të ndërhynte në luftën me Ukrainën, do të merrte një kundërpërgjigje prej tyre “me shpejtësi rrufeje”, duke nënkuptuar se do të përdorin armët britanike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: