Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, do të vizitojë Kinën javën e ardhshme për të takuar Presidentin Xi Jinping, ku pritet të diskutohet mbi luftën në Ukrainë dhe mundësitë e një marrëveshje me Rusinë.

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, Xi do të takohet me Sanchez, ku Spanja ndryshe nga Kina ka treguar mbështetjen e saj për Ukrainën.

Duke folur nga samiti i BE në Bruksel, Sanchez e përshkroi Kinën si një ‘aktor të nivelit të lartë global’, teksa falënderoi Xi për ftesë për të festuar 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Mendoj se është e rëndësishme të dihet se cili është pozicioni i tij për paqen në Ukrainë, dhe t’i thuash atij se janë vetë ukrainasit ata që do të vendosin kushtet për fillimin e kësaj paqeje. Së dyti, gjëja më themelore është ruajtja e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i cili varet nga respektimi i kartës së OKB-së. Një nga ato parime themelore është respektimi i integritetit territorial, në këtë rast integriteti territorial i Ukrainës, i cili po cenohet nga presidenti Putin,” tha Sanchez.

Sanchez vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e njohjes së Spanjës si një bashkëbisedues i mundshëm diplomatik gjatë asaj që ai e quajti “një moment kaq i ndërlikuar në vështirësitë gjeopolitike”.

Më 24 shkurt, saktësisht një vit pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, Xi publikoi një dokument me 12 pika që synonte, sipas saj, të ofronte një rrugë përpara për krizën në Ukrainë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb