Një ditë pas shkarkimit nga detyra nga KPA të Kryeprokurores së Tiranës Elizabeta Imeraj, KLP ka caktuar sot drejtuesin e përkohshëm për të zëvendësuar postin e saj.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Arens Çela është zgjedhur në këtë detyrë.

Një ditë më parë Imeraj u shkarkua nga detyra, ndërsa vendimi u dha nga KPA, ku u konstatua se disa kritere nga prokurorja nuk plotësoheshin. Gazetarja Klodiana Lala raportoi, duke iu referuar të dhënave të bëra publike nga KPA, se rezulton se për kriterin e pasurisë, për njërën nga pasuritë ka mungesë burimesh financiare.

Mësohet se kryeprokurorja ka bërë një deklarim të pasaktë për një apartament në zonën e Ali Demit, pasi ka mungesë burimesh. Po ashtu thuhet se ka mosdeklarim të gjendjes cash në deklaratat vjetore.

NJOFTIMI I KLP
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është mbledhur ditën e enjte, më 28.04.2022, në një seancë plenare urgjente. Të pranishëm në mbledhje ishin të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të ftuarit përfaqësues nga Progami OPDAT.

Si pasojë e shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, znj. Elizabeta Imeraj, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është mbledhur urgjent për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të kësaj prokurorie.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrirerës, Këshilli vendosi unanimisht të miratojë projekt – aktin për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Arens Çela, i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku ka emërimin si prokuror. Më pas, me 10 (dhjetë) vota pro, është miratuar projekt –akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Arens Çela, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Në përfundim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi hapjen e garës për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb