Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia është e gatshme të punojë në shumë gjëra që dalin nga propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë ai bëri një vërejtje.

“Ka të bëjë me faktin se unë nuk dua dhe nuk mund të bisedoj për njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Vuçiç për televizionin publik serb, RTS më 28 shkurt.

Ai po ashtu tha se një ditë më parë në Bruksel është rënë dakord për më shumë bisedime.

“Nuk është çështja për një nen, një letër, një takim. Dje në Bruksel është biseduar, jemi marrë vesh, do të vazhdojmë, do të ketë më shumë bisedime. Asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiç.

Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 27 shkurt dhe u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet për zbatimin e propozimit evropian për normalizim.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, një ditë pas këtij takimi konfirmoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë pranuan propozimin evropian për normalizim dhe se tani po punojnë për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Ky propozim synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kurrë nuk kemi negociuar në fshehtësi. Asnjëherë nuk kemi fshehur asgjë”, tha Vuçiç.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Çfarë është e gatshme të zbatojë Serbia?

Presidenti i Serbisë konfirmoi se teksti i publikuar nga BE-ja, pas rundit të bisedimeve në Bruksel, më nuk mund të negociohet dhe është shndërruar në një kornizë për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiç tha se “prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”.

Vuçiç tha se diskutimet për zbatimin e planit do të ndodhë gjatë vizitave që i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd.

Ai tha se është i gatshëm të negociojë në zbatimin e pjesëve të propozimit, sikurse përfaqësimi rajonal, vulat doganore, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

I pyetur vazhdimisht nëse është koha për zbatimin e pjesës së propozimit që thotë se anëtarësimi i Kosovës në institucione ndërkombëtare nuk do të bllokohet, Vuçiç tha se ai nuk do të marrë pjesë në zbatimin e “disa çështjeve të caktuara”.

Ai po ashtu konfirmoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është pjesë e udhërrëfyesit për zbatim.

Vuçiç tha se propozimi i BE-së erdhi si një ide nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Ata e sollën dokumentin. Nuk kishte fare mundësi për negociata. Ata thanë kjo është ‘merre ose lëre’”, tha Vuçiç dhe shtoi se kur dikush është në pozitë udhëheqëse në shtet, duhet të mendojë edhe për pasojat.

“Dhe ata më thanë qartë se refuzimi i propozimit do të thotë ndalim të integrimit në BE, ndalim të investimeve, ulje të nivelit të punësimit, tërheqje të investimeve. Dhe një sërë masash të tjera gjithëpërfshirëse, duke përfshirë izolimin e Serbisë nga bota”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se është e rëndësishme që palët të flasin dhe Serbia të jetë në tryezë të bisedimeve.

“Ose do të qëndrojmë në bisedime ose do të vuajmë pasoja të rënda si në vitet ‘90”, tha Vuçiç.

Në përgjigje të kritikave se ka tradhtuar interesat kombëtare, Vuçiç tha se gjatë mandatit të tij ai do të vazhdojë të punojë për interesat e Serbisë.

“Nëse njerëzit mendojnë të kontrollojnë nëse gëzoj besimin e popullit, të dalin në referendum nëse mbledhin dy të tretat e shumicës, nuk është problem”, tha ai, duke iu përgjigjur kritikave nga partitë e djathta që kërkuan dorëheqjen e tij.

Pas takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian tha se palët janë shprehur të gatshme të punojnë në zbatimin e propozimit. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më pas, BE-ja planifikon që në mars të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb