Zbardhet takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me të dërguarit të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak sot. Osmani tha se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”. “Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes. Osmani u takua me dy përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së më 6 qershor, në ditën e dytë të vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd.

Ata po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës-Zvecan, Leposaviç dhe Zubtin Potok. Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Një ditë më parë, ata i kërkuan Kurtit qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Osmani përmendi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja gjatë takimit të saj. “Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani. Ajo gjithashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar të punojë në bashkëpunim me aleatet e saja ndërkombëtare. Escobar dhe Lajçak pritet që gjatë ditës të takohen edhe me përfaqësues të partive në Kosovë, përshirë Listën Serbe. Më vonë, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku, sipas njoftimeve, në orën 18:30 do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb