Kreu i PD, Lulzim Basha pas takimit me kryebashkiakun e Prishtinës, Shpend Ahmetin ka thënë se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës në këtë moment është të hiqet dorë nga protagonzimi i pavend.

Sipas Bashës, ky protagonizëm e ka dëmtuar Kosovën dhe duhet të hiqet dorë nga kjo. Për më tej Basha ka rikonfirmuar qëndrimin e e tij për luftën çlirimtare të Kosovës, të cilën e quan kauzë të drejtë, pasi kujton se dhe vetë ai është nënprodukt i spastrimeve etnike nga Serbia në Kosovë që detyruan gjyshërit e Bashës të largoheshin nga atdheu i tyre në vitet ’20.

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Një takim të përzemërt dhe miqësor zhvillova mëngjesin e sotëm me z.Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës. Diskutuam lidhur me situatën e shkaktuar nga COVID- 19, por dhe situatën politike, dialogun Kosovë-Serbi dhe aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.

Nuk mund të barazohet kurrë lufta për liri e një populli, me përpjekjet shekullore për spastrimin etnik të Kosovës nga banorët e saj.

Kam vlerësuar qëndrimet e Presidentit Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, zotit Kadri Veseli, të cilët e kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për t’u përballur me drejtësinë, si një traditë e pandërprerë nga të gjithë drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës dhe shpreh bindjen, se nga përballja me drejtësinë do të përfitojë edhe njëherë populli i Kosovës, dhe do të vërtetohet kauza e drejtë. Askush dhe asgjë, nuk mundet ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës, e cila ishte një luftë mbrojtëse ndaj një agresioni që si synim kishte genocidin, spastrimin etnik të Kosovës. Unë vetë jam nënprodukt i një prej këtyre spastrimeve etnike, i cili detyroi gjyshërit e mi të largohen nga Kosova e viteve ’20.
Shpresoj që drejtësia ndërkombëtare të bëjë drejtësi, sa i përket atyre që kryen agresionin, kryen spastrim, kryen vrasje dhe masakra ndaj civilëve dhe njerëzve të pambrojtur në Kosovë, por edhe në treva të tjera të ish-Federatës së Jugosllavisë.

Me z.Ahmeti ramë dakord për rëndësinë historike të dialogut me Serbinë, me qëllim njohjen reciproke midis dy shteteve te pavarura, ku me rëndësi jetike është bashkëpunimi i ngushtë midis partnerëve strategjikë të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

E garantova z.Ahmeti, për një mbështetje totale për të gjitha vendimet e institucioneve dhe forcave politike të Kosovës. Vetëm përmes një qasjeje dhe koordinimi si ai që siguroi shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen e Kosovës nga shumë vende të botës, do të mund të bëjmë progres në proceset integruese.

Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës në këtë moment, është heqja dorë nga protagonizmi i pavend, për konsum të brendshëm, që në fakt e ka dëmtuar Kosovën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb