TIRANË- Mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila i kërkon falje tifozëve të skuadrës ku luan, “PAS Janina” por edhe gjithë grekëve që mund të jenë ndjerë të ofenduar, nga videoskandali ku shfaqej bashkë me Armando Sadikun e imamin Ahmed Kalaja në një dhomë hoteli teksa tallej me priftërinjtë grekë.

“Shumë prej jush mund të kenë parë një video të publikuar në internet ku bëj disa komente jo të hijshme në lidhje me një prift. Unë dua të kërkoj ndjesë për këdo që mund të jetë ofenduar nga komentet e mia, sidomos priftin. Ai është treguar një zotëri i vërtetë me ekipin e Pas Janinës dhe nuk e meriton shakanë e bërë me të. Komentet e mia ishin të pavenda dhe jashtëzakonisht të pandjeshme”,- thotë mbrojtësi nga Kavaja në një status të publikuar në Facebook.

Andi thotë që ka bërë shaka në një bisedë private, ndonëse nuk ka dashur të ofendojë askënd.

“Nuk po përpiqem të mbroj veprimet e mia, por ato shaka i kam bërë në një ambient privat dhe me shaka, pa pasur qëllim të ofendoja askënd. Tani që videoja u publikua e kuptoj që komentet e mia ishin të pandjeshme dhe trashanike. Sjellja ime ishte jashtëzakonisht e papërshtatshme, e papjekur, dhe mungonte respekti që meriton ekipi i Pas Janinës. Gjithçka ndodhi ishte një shpërqendrim nga qëllimet tona, arritjeve që presim në Evropë këtë sezon”,- shkruan ai më tej.

Duke pranuar që në Greqi ka gjetur dashuri dhe respekt, Lila nuk ka dyshime kur thotë se për të ky vend është shtëpia e dytë, ku do donte të kthehej si më parë.

“Që nga dita e parë unë u mirëprita në Greqi, mora dashuri dhe mbështetje nga i gjithë populli i Greqisë. Bashkëshortja ime, djali ynë dhe unë e konsiderojmë Greqinë si shtëpinë tonë të dytë dhe më besoni ndjehem shumë keq sot nëse ndonjëri nga ju është ofenduar nga veprimet e mia të pamatura. Përsëri, më vjen keq për veprimet e mia dhe shpresoj që ne mund ta lëmë këtë çështje pas krahëve, Mezi pres të kthehem në Greqi pas shkëputjes që pata”,- përfundon Lila.

Një ditë para ndeshjes me Italinë, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Andi Lila u përfshi në një videoskandal ku tallej me priftërinjtë greke në dhomën e hotelit, bashkë me futbollistin tjetër Armando Sadiku e imamin Ahmed Kalaja. Ishte ky i fundit që hodhi videon në rrjetet sociale, ndonëse më pas kërkoi ndjesë për veprimet.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: