Shiu i dendur ka sjellë përmbytje dhe stuhi në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë për ‘rrezik për jetën’. Ndonëse Anglia duroi nxehtësinë përvëluese, ekspertët paralajmërojnë se edhe tre ditë rrebesh nuk do ta lehtësojnë plotësisht Britaninë e thatë.
Met Office ka lëshuar tre ditë alarme pasi temperaturat në rritje të javëve që kaluan shkaktuan thatësira në më shumë se gjysmën e Anglisë.

Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se do të duhen ‘javë’ reshjesh të dendura për të ndihmuar pjesët e vendit të rikuperohen nga korriku më i thatë i regjistruar, pasi toka do të luftojë për të thithur ujin, ndërkohë që mund të ketë edhe përmbytje. Temperaturat arritën 34 celsius të dielën, ndërsa Britania e Madhe po përgatitet për tre ditë me shi.

Tashmë priten stuhi në pjesët veriore të vendit, ndërkohë që sinoptikantët kanë paralajmëruar se situata mund të jetë problematike duke nisur nga mesdita e së dielës deri në mesnatën e së hënës për pjesën më të madhe të Skocisë dhe Irlandës së Veriut.

Autoritetet gjithashtu kanë paralajmëruar se shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojë përmbytje të menjëhershme dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa situata mund të çojë në kushte të vështira drejtimi për shoferët. Ky paralajmërim do të shtrihet në Angli dhe në Uells të hënën dhe të martën, ndërkohë që të mërkurën situata mund të përmirësohet. Po ashtu paralajmërimi është dhënë për bizneset dhe shtëpitë që mund të jenë në rrezik nga përmbytjet e papritura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb