Shuhet “dashuria” për pasardhësin e Shpëtim Gjikës në krye të Bashkisë së Vlorës. Pak ditë pasi Dritan Leli, i cili mori detyrën, pas zgjedhjeve të 21 qershorit, për të drejtuar këtë bashki, sulmoi me akuza Gjikën dhe administratën e mëparshme, ka reaguar vetë Gjika. Ish-­kreu i bashkisë për gati 12 vjet, me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” shprehu reagimin e tij.

“Përballë idiotëve, të paaftëve dhe të ligjve kam vetëm një mënyrë për të dëshmuar inteligjencë: Nuk flas me ata! Nuk flas për ata! Nuk komentoj çfarë thonë ata!”, ishte statusi i postuar nga vetë Gjika. Ish-­kryebashkiaku socialist nuk ka përmendur emra, duke i lënë komentuesit të reagojnë, duke e mbështetur atë, ndërsa të tjerë i shkruajnë: “Pse e kanë kapur këta rilindësit me ty?”.

Në fakt, reagimi duket se vjen menjëherë pas deklaratave që pasardhësi po socialist për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, ka bërë ndaj Gjikës. Më i fundit më 19 gusht, pas përmbytjeve të radhës në këtë qytet. Kryebashkiaku i ri, pak kohë pasi mori zyrtarisht detyrën, theksoi se ka trashëguar një qytet me probleme të shumta në infrastrukturë dhe kanalizime tejet të dëmtuara.

“Kreu i bashkisë dhe administrata e saj e kanë lënë Vlorën në mëshirën e fatit; janë zënë sipërfaqe të tëra lulishtesh, janë ngritur pallate shumëkatëshe sa hap e mbyll sytë, ku shumë prej tyre janë ndërtuar mbi kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, jashtë çdo rregulli urbanistik. Pasojat e kësaj katrahure po i vuajnë sot qytetarët e Vlorës”, u shpreh Leli, në kohën kur po zhvillohej mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak. Më herët, Leli akuzoi Gjikën edhe për borxhin e lënë bashkisë, 1 milion euro, duke qenë kritikues i punës së paraardhësit dhe administratës që ai drejtonte.

Pavarësisht se si Leli dhe Gjika janë zgjedhur nga Partia Socialiste dhe kanë vazhduar të jenë anëtarë të saj, mes tyre ka pasur përplasje në mënyrën e drejtimit të bashkisë. Pas largimit nga posti, Gjika ka vazhduar të jetë aktiv në jetën publike. Po dje, ai tregoi me anë të një postimi investimin për rrugën që lidh fundin e autostradës me Transballkaniken.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: