Qeveria e ka kapur veshin mbrapsht me vendimin për konfiskimin e pronave. Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, avokati i deputetëve të PD-së Marash Logu ka zbuluar skandalin dhe ka publikuar për herë të parë ligjin që po përgatit maxhoranca për konfiskimin e vendimeve pa leje.

Por ndryshe nga sa parashikon Kushtetuta, VKM-ja e nxjerrë më herë nga qeveria ka dalë para ligjit.
“Sipas Kushtetutës në fillim nxirren ligjet, dhe në zbatim të tyre nxirren VKM-të. Në këtë rast ka ndodhur e kundërta, është nxjerrë VKM, dhe në shërbim të tij ligji”, tha Logu.

Ai theksoi se dhe zvarritja e procesit në Gjykatën Kushtetuese ka ndodhur për këtë arsye.

Sipas relacionit të projektligjit për “ADMINISTRIMIN E OBJEKTEVE TË KONFISKUARA SI NDËRTIME PA LEJE ME QËLLIM PËRDORIMIN E TYRE PËR INTERES PUBLIK APO STREHIM SOCIAL SI DHE ZBUTJEN E PASOJAVE SOCIALE TË SHKAKTUARA”, qëllimi është përcaktimi i rregullave, procedurave dhe instrumenteve ligjore, financiare dhe teknike për zbutjen e pasojave që vijnë nga ndërtimet pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, në vijim të konfiskimit për interes publik të këtyre objekteve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Gjithashtu ky ligj ka në fokus edhe përcaktimin e kompetencave dhe detyrave të autoriteteve publike përgjegjëse të përfshira në proceset e zhvillimit dhe administrimit të objekteve të konfiskuara, si dhe parashikimin e programeve që synojnë zbutjen e pasojave sociale ndaj të tretëve për shkak të konfiskimit të objekteve.

Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, pësoi ndryshime të rëndësishme në tërësinë e tij sa i takon përcaktimit të masave ndaluese për ndërtimet pa leje, institucionet përgjegjëse për dhënien e lejeve të zhvillimit të ndërtimit, llojet e zhvillimit kompleks që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare apo me investime strategjike për interesat e vendit etj.

Në koherencë me këto ndryshime të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe me detyrat e lëna prej këtij të fundit për Këshillin e Ministrave, u miratua Vendimi Nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”, që përcaktoi në mënyrë shteruese dhe të qartë, masat parandaluese që duhet të ndërmerren në rastet e ndërtimeve pa leje dhe të atyre ndërtimeve që janë në shkelje të lejes së ndërtimit.

Relacion shpjegues për projektligjin “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”. Kjo nismë lidhet me programin e Këshillit të Ministrave për të arritur objektivat në parandalimin e dëmeve që mund të shkaktohen nga ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejes, do të plotësojë kuadrin ligjor si dhe për rregullimin dhe zbutjen e pasojave sociale dhe urbane të shkaktuara nga ndërtimet për qëllim fitimi në kundërshtim me ligjin, për të tretët që në mirëbesim, i cënohen interesat pasurore nga konfiskimi i objekteve për qëllime fitimi të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe të komunitetit në përgjithësi.

Një aspekt tjetër që synohet të rregullohet me këtë ligj është procesi i administrimit të objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje për qëllim fitimi në zbatim të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, duke synuar rritjen e vlerës së tyre me qëllim përdorimin për interes publik apo strehim social.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb