Parlamenti irakian i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5.200 trupat amerikane që ndodhen aty, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron që vrau gjeneralin e lartë iranian Qasem Soleimani.

Shumica shiite në parlament votuoi pro rezolutës nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.

“Qeveria irakiane duhet të marrë përsipër të anulojë kërkesën e saj për ndihmë nga koalicioni ndërkombëtar që lufton grupin ekstremist të Shtetit Islamik për shkak të përfundimit të operacioneve ushtarake në Irak dhe arritjes së fitores”, thuhej në rezolutën e miratuar sot.

Qeveria e kryeministrit Adil Abdul-Mahdi duhet “të punojë për t’i dhënë fund pranisë të të gjitha trupave huaj në tokën irakiane dhe t’i ndalojë ata të përdorin tokën, hapësirën ajrore ose ujin për çdo arsye”, thuhej në rezolutë.

Ndërkohë kryetari i parlamentit irakian Mohamed al Halbousi vuri në dukje se marrëveshja nuk mund të përfundojë përpara një viti.
Në SHBA sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që SHBA-ja të qëndrojë”.

Uashingtoni dhe Bagdadi ranë dakord për rikthimin e trupave amerikane në Irak katër vite më parë me qëllimin për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Kjo ndodhi pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane pas ndërhyrjes në vitin 2003 për rrëzimin e diktatorit irakian Saddam Hussein.

Ndërkohë koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja që po lufton Shtetin Islamik në Irak e Siri njoftoi të dielën se tani për tani ka ndalur shumicën e operacioneve kundër militantëve dhe është përqëndruar në mbrojtjen e forcave dhe bazave të koalicionit, në mesin tensioneve në rritje me Iranin.

Një zëdhënës theksoi se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja do të vazhdojë të kryejnë disa operacione dhe se do të veprojë për vetëmbrojtje kundër militantë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb