Dinamo kërkon që të ecë gjatë në Ligën e Konferencës në edicionin 2025-2026, sezon i cili përkon me kthimin pas 15 vitesh mungesë të dinamovitëve në kompeticionet europiane.

Blutë e kryeqytetit mbyllën një sezon pozitiv, ku fituan edhe Kupën e Shqipërisë. Synimi kryesor i dinamovitëve mbetet kalimi i turit të dytë dhe për të realizuar këtë qëllim, klubi ka vendosur të mbajë edhe dy sulmuesit kryesorë, Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela, të cilët kanë oferta nga klube të ndryshme. Pas aventurës europiane, Dinamo parashikon të arkëtojë shumë të majme nga shitja e dy xhevahireve të skuadrës.

“Nëndetësja” kërkon të thyejë rekordin e shitjeve në Shqipëri dhe këtë gjë synon ta realizojë me sulmuesin e përfaqësues së Kosovës, i cili së fundmi ka marrë edhe një “asist” nga shteti shqiptar. Baton Zabërgja është pajisur së fundmi me pasaportë shqiptare, avantazh i cili i jep mundësi sulmuesit që të transferohet edhe në shtete që ende nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Sulmuesi që spikati me Dinamon në edicionin e kaluar qëndron ndërkohë në radarin e Rubin Kazan, ku luan edhe sulmuesi tjetër kosovar i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku. Nga Rusia është raportuar se Dinamo kërkon 2.5 milionë euro për kartonin e 24-vjeçarit. Në rast se një operacion i tillë konkretizohet, atëherë do të ishte rekord për Superioren. Me pasaportën shqiptare, Zabërgja e ka mundësinë që të transferohet në Rusi. 24-vjeçari luajti 42 ndeshje gjatë gjithë sezonit të fundit. Në këtë periudhë shënoi 15 gola dhe asistoi 10 të tjerë duke qenë kryefjala e Dinamos. Vlera e Zabërgjasë në “transfermarkt” është 1 milion euro. Dinamo duket se nuk do të heqë dorë lehtë nga shërbimet e sulmuesit, pikërisht para ndeshjeve të Europës.

MIQËSORE ME BALLKANIN Dinamo do të ketë mundësi sot që të kryejë testin e parë real të fazës përgatitore që po zhvillohen në Ohër. Blutë kanë nisur javën e tretë të fazës intensive jashtë vendit, por në dy të parët e kanë pasur të vështirë që të gjenin kundërshtar. Gjithsesi, kjo javë ua plotëson edhe këtë dëshirë, pasi do të luajnë dy ndeshje, ndaj Ballkanit të trajnerit Orges Shehi dhe derbin e kryeqytetit me Partizanin. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja do ta provojnë veten sot në Ohër ndaj kosovarëve të Ballkanit. Trajneri Daja e njeh mirë kundërshtarin, pasi e ka drejtuar deri në sezonin e fundit. Testi i sotëm me Ballkanin do të tregojë edhe rrugën që ka marrë faza përgatitore e Dinamos në Ohër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb