Në ADN-në e tij është i lindur shënimi i supergolave. Ai e ka treguar këtë me fanellën e ekipit kombëtar, por edhe me klubet ku është aktivizuar. Nga goli me Çekinë prej shumë metrash larg, tek ai me gjysmëroveshatë për ngjyrat e “Konias”, kështu e quan ekipin e tij në Turqi Sokol Cikalleshi, i cili rrëfehet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Cikalleshi tregon si e menaxhon jetën e tij familjare, objektivin europian me Kombëtaren, ritualin që bën para ndeshjes, por edhe atë çka e mundon aktualisht gjatë karrierës në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shënoi dje sërish nga penalltia duke gjetur golin e shtatë në kampionat dhe renditen me Koniasporin në vendin e dytë, çka u jep edhe të drejtën për të tentuar pjesëmarrjen në grupet e Champions-it.

Sokol, po luani në Turqi, sezon i mirë, keni shkëlqyer me supergola, ndërkohë nga ana tjetër jeni edhe një nga senatorët e ekipit kombëtar. A mund të themi se është ky kulmi i karrierës suaj?

Mund të them që tani kam më shumë eksperiencë, çka besoj që më ka ndihmuar të mbaj të njëjtin ritëm në këto vitet e fundit që kur jam bërë pjesë e Koniasporit. Tani që jam mbi 30 vjeç, mundohem të jem më i kujdesshëm në përditshmërinë time, si me stërvitjet po ashtu edhe me regjimin dhe kjo më ka ndihmuar që të kem këtë vazhdimësi. Uroj që të vazhdoj kështu edhe për një kohë të gjatë.

Si e menaxhon jetën Cikalleshi, dikur beqar ndërsa tani familjar?

Normalisht, kur je familjar, je më i mbledhur dhe më i fokusuar. Je më i qartë tek ajo që kërkon. Unë kam krijuar familje që herët, në moshën 22- 23-vjeçare, kështu që më ka ndihmuar në pjesën e fokusimit, të stërvitjes. Kjo është ajo që ka qenë gjatë gjithë karrierës sime deri tani: familje, stërvitje. Tani mundohem të jem akoma edhe më shumë i disiplinuar në përditshmëri sepse besoj se duke qenë një njeri që në përditshmëri i bën detyrat njësoj si brenda apo jashtë fushe në mënyrën e duhur, jetëgjatësia e karrierës do të jetë edhe më e madhe, sepse këto gjëra kanë të bëjnë shumë.

Po luani në nivele të larta. Kur jeni në fushë, e keni pyetur ndonjëherë vetën apo e keni menduar: Cilat janë limitet e mia?

Kjo gjë varet edhe nga karriera. Unë tani jam në momentin që edhe para pak ditësh firmosa një kontratë edhe për dy vite te Koniaspori. Diçka tregon se edhe klubi e ka besimin, por edhe unë ndihem shumë mirë që do të vazhdoj të jem në këto lloj nivelesh edhe për ca kohë, kështu që nuk besoj se kam vendosur ndonjëherë limit, por duke parë vit pas viti, pasi t’i mbyll edhe këto dy vite këtu, që i thonë në moshën 34- vjeçare, duke parë edhe duke vendosur disa gjëra, sepse nuk është vetëm futbolli, shihet edhe ana familjare. Unë kam një fëmijë tani edhe vjen mosha e shkollimit të tyre dhe këto kanë atë rëndësinë e vet, kështu që kemi kohë edhe nja 2-3 vite dhe besoj se do të jem në këto nivele.

Çfarë rituali bëni përpara ndeshjes, gjithmonë nëse e keni një të tillë?

Nuk kam ndonjë të veçantë, thjesht futem me këmbën e djathtë në fushë gjithmonë, ky është rituali që bëj. Plus që i lutem edhe Zotit që të më ndihmojë. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb