Kryeministri Edi Rama nga Kukësi iu ka kërkuar qytetarëve të respektojnë rregullat, të vendosin maskën dhe të kenë besim tek maxhoranca. Ai tha se qytetarët nuk duhet të dëgjojnë Monikën kur thotë që COVID nuk ekziston dhe se nuk duhet shkuar deri tek mbyllja e vendit.

“Shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu dhe pashë të madhin Zot mos dëgjoni Monikën kur thotë që COVID-i nuk ekziston, shkoni në Kisha e Xhamia se nuk ju lë Perëndia të infektoheni. Është shumë e rëndësishme që ato pak rregulla të bezdisshme në fakt, unë e kam bezdi të madhe që sapo duhet të mbyll fjalën duhet të vë maskën, sapo të dal nga shtëpia të vë maskën, por s’ka një rrugë tjetër. Nuk ka një rrugë tjetër për të ndihmuar sistemin e shëndetësisë që të vazhdojë të bëjë punën e vet se problemi kryesor me këtë mallkim është që nëse numrat bëhen marramendës, s’ka më shtretër. Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojmë aty, ashtu si unë nuk dua që në asnjë mënyrë ta mbyllim prapë Shqipërinë. Të mbyllim prapë bizneset dhe të mbyllim prapë punën. Prandaj ju lutem shumë të gjithëve, respektoni rregullat, vini maskën dhe kini shumë besim që ne nuk jemi më të mirët por më të mirë se ne nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë”, tha Rama.

Në vijim të kësaj, kreu i qeverisë tha se jo në 2021 por deri në 2029 nuk do ketë më të mirë se kjo maxhorancë dhe më pas do vijnë ata që po mësojnë me librat e Oksfordit, Kembrixhit dhe Pirsonit.

“Sipas meje në 2021 jo e jo, por sipas meje deri në 2029 nuk do ketë. Deri në 2029 do jenë bërë gati ata që po mësojnë me librat e Oksfordit, Kembrixhit dhe Pirsonit, dhe ata pastaj nuk do presin platformat tona për të aplikuar, por do vijnë dhe kë do gjejnë aty, se mua s’do më gjejnë, do ta marrin përpara!”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: