Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave uron shqiptarët për Pashkë, përmes ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, çelur në Kalanë e Tiranës. Trashëgimia e çmuar kombëtare dhe fetare që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, dorëshkrime unike, shtypshkrime nga shekulli i 6 deri në shekullin e 19, si edhe kodikët e famshëm të Beratit, të ekspozuar një vit më parë në vilën e diktatorit Enver Hoxha, rikthehen për publikun, këtë herë në një formë tjetër.

“Është një ekspozitë që është përgatitur pikërisht me rastin e Pashkëve, në muajin prill, para 10 vjetëve. E kemi sjellë për herë të parë për publikun e Tiranës në formë stendash, sepse Kodikët i kemi sjellë gjithmonë në formën origjinale. Janë mbajtur rreth 3 muaj para 10 vjetësh, në Berat dhe në Korçë. Sot janë në Tiranë për herë të parë”, thotë Elsa Saka, përgjegjëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Për dekoret e dorëshkrimeve janë përdorur, zakonisht, ngjyra të ndryshme nga ajo e tekstit kryesor. Në kodikët që hyjnë në kategorinë e librave të luksit, hasen dhe dekoret ku është përdorur gjerësisht ari, qoftë në disa germa, qoftë në miniatura.

Në 28 pllakate paraqiten pamjet e fotografuara të 55 prej kodikëve që ruhen në koleksionet e Arkivit Qendror Shtetëror. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Kalasë së Tiranës deri në fund të prillit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: