Teksa ndodhemi dy ditë para të dielës së Pashkëve, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bën thirrje të gjithë shqiptarëve t’i luten Zotit të lehtësojë këtë sprovë të madhe të përballjes me koronavirusin.

Ashtu si të dielat e mëparshme, edhe kjo e diel i gjen të gjithë shqiptarët të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të masave kundër COVID-19, ndaj dhe Basha shkruan në “Facebook” se duhet “Të lutemi në këtë të premte që mëshira e Perëndisë të zbusë zemrat tona dhe të na udhëzojë e mbushë me dashuri e besim në rrugën e sprovës drejt normalitetit dhe lirisë”.

Mesazhi i Bashës:

Dy ditë përpara të dielës së Pashkëve, në këtë të premte të veçantë të sakrificës dhe dhimbjes, le të bashkohemi në një lutje të përbashkët: t’i lutemi Zotit të na e lehtësojë këtë sprovë të madhe që po kalojmë si familje, si vend dhe si komb, dhe të na japë durim dhe fuqi për të dalë më të fortë prej saj.

Sjelltë heshtja e kësaj të premte ndriçim dhe meditim për secilin prej nesh, për atë çfarë mund të bëjmë më mirë. Të lutemi në këtë të premte që mëshira e Perëndisë të zbusë zemrat tona dhe të na udhëzojë e mbushë me dashuri e besim në rrugën e sprovës drejt normalitetit dhe lirisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb