TIRANE- Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë mbrëmjen e sotme vigjiljen e Pashkës, ku përcjellin lutjet e tyre për ringjalljen e Krishtit.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, uroi sot besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve, duke u lutur për më shumë dashuri e paqe.

“Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thellë dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin e gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij. ”, shprehet Kryepeshkopi Anastas.

Kryepeshkopi Anastas i fton besimtarët të gëzojnë për besimin e tyre në fitoren e drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen.

“Ejani të përjetojmë më thellë mesazhin e Ngjalljes së Krishtit. Ejani, si gjymtyrë të Kishës, si qeliza të Trupit Mistik të Krishtit, të marrim pjesë në veprën e Tij rinovuese, në ofrimin e dashurisë, të optimizmit dhe frymës krijuese në shoqërinë tonë”, thekson Kryepeshkopi Anastas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb