Ata kanë duruar beteja intensive, sulme brutale ajrore dhe humbje të paimagjinueshme, por këtë fundjavë shumë ukrainas do të përpiqen të festojnë një nga festat e tyre më të rëndësishme të vitit: Pashkët ortodokse.

Tradicionalisht një kohë reflektimi dhe rilindjeje, kjo e diel do të shënojë gjithashtu saktësisht dy muaj që kur vendi u fut në një luftë shkatërruese pasi forcat ruse pushtuan më 24 shkurt.

Në fjalimin e tij të natës të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli për rëndësinë e kësaj date.

“Sot ishte e shtuna e shenjtë për të krishterët e ritit lindor. Dita midis Kryqëzimit dhe Ringjalljes. Duket se Rusia ka ngecur në një ditë të tillë. Në ditën kur vdekja triumfon dhe Zoti supozohet të jetë zhdukur. Por do të ketë një Ringjallje. Jeta do ta mposhtë vdekjen. E vërteta do të mposhtë çdo gënjeshtër. Dhe e keqja do të ndëshkohet”, tha ai, raportoi CNN.

Ndërsa luftimet përshkallëzohen në jug dhe në lindje, shumë në Ukrainë po mbështeten në besimin e tyre në kërkim të ngushëllimit, ndërsa të tjerë po zgjedhin të udhëtojnë në shtëpi nga Polonia fqinje për të qenë mes njerëzve të dashur për përkujtimet e Pashkëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb