Autorja e librit autobiografik “Vila me dy porta”, tregon përvojën personale, me ish-mikeshat e saj

Për shkak të profesionit tim, kam dalë shumë herë përpara auditorëve të ndryshëm, por është e para herë që dal përpara një auditori për të treguar eksperiencën më të thellë të jetës sime. Referatin e kam ndërtuar në formën e një rrëfimi që, shpresoj të konsiderohet si një diversitet i qasjes ndaj temës “Pasojat e diktaturës, trajtimi i shtypjes dhe mësimet që nxjerrim prej sajë”. Kam rrëfyer fatin e katër personazheve të gjalla, bashkëmoshatareve të mija, që janë: Natasha, Nadja, Mira dhe Vera, d.m.th unë. Një të diel, duke rrëmuar nëpër fotot e vjetra bardh e zi, ndava një prej tyre. Ishte një fotografi e kohës së shkollës shtatë vjeçare e viteve ‘60-të:

Katër vajza të ulura në bar, me flokë të shpupurisura nga era e dimrit, të mbërthyera në palltot e leshta, me këmbë të mbështjella e të mbuluara. Përveç këtij pozicioni, ne kishim të përbashkët edhe vitin e lindjes, vitin e studimit në klasën e 7-të A, jetonim në të njëjtën rrugë të Tiranës së Re dhe…dhe ishim të gëzuara…! Ne ishim shoqe të pa ndara. Hollë-hollë kishim një nën ndarje: Unë dhe Natasha, Nadja dhe Mira.

Shtëpitë ku banonim, renditeshin në Rrugën “Pjetër Bogdani” sipas rangut familjar. Shtëpia e Nadjës ishte një vilë e bukur me kopsht të lulëzuar dhe me shkallët e brendshme të shtruara me tapet vishnje. I ati ishte nga njerëzit kryesore të pushtetit në Shqipëri dhe dobësia e tij më e madhe ish e bija.

Shtëpia ime vinte e dyta, ishte pjesë e një vile, por pa kopsht të lulëzuar. Im atë kish pushtet të “rangut të dytë”, me që ishte anëtar i Komitetit Qendror. Të dy prindërit e mi, u shkolluan pas martese, babai në Moskë dhe mamaja studioi drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Natasha banonte në të njëjtën anë të rrugës me mua, dhe hyrja e saj ish pjesë e një pallati të madh italian. I ati ish anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kish studiuar në Paris. E ëma, dhe ajo e arsimuar diku jashtë. Me sa kisha kuptuar unë, i ati i saj ende ëndërronte jetën e Parisit. Mira banonte në një apartament në fund të rrugës, nga ata me tulla të kuqe, që ndërtoheshin në kohën e socializmit.

Nuk e di pse ai apartament mbante gjithnjë erë fshati (këtë erë do ta ndeshja përsëri pas shumë vitesh, kur do banoja vetë atje). Prindërit e sajë ishin pa universitet, sikurse dhe ata të Nadjës, por në ndryshim me ta, nuk kishin pozitë të lartë. I ati, i vëllai i tij dhe të bijtë e tyre më pas, ishin ose u bënë fuksa. Pasioni i të atit të Mirës, ishin femrat. Kjo mbase qe arsyeja që mbas miqësisë së ngushtë me Nadjën, në pozitë, nuk u ngrit i ati, por e ëma.

Ajo qe e vetmja në familje që kish sy të shuar. Gjithë të tjerët kishin ca sy që dukeshin sikur digjeshin përbrenda. Sjelljet e gjyshit të Mirës nuk na pëlqenin ne të triave kështu që vendi ynë i preferuar për të mësuar dhe dëfryer u bë shtëpia e Natashës. Aty gatuhej më së miri, me bollëk dhe në fund të çdo ngrënie, servirej djathë Gjirokastre. Xhaxhai i saj banonte në Amerikë dhe ata s’vuajtën kurrë për para. Shtatë vitet e shkollës, mund t’i quash më të mirët e jetës sonë të përbashkët.

Natasha u nda nga grupi e para, fill pas fiksimit të asaj fotos në piknik, foto që mbeti i vetmi kujtim i përbashkët. Iku pa dëshirën e saj, iku sepse familja u shpërngul në Berat, ngaqë i ati pësoi një ulje në detyrë dhe në Parti. Më saktë, i ati i Natashës u përjashtua prej saj. U quajt element antiparti. Këtu duhet pak kujdes në shpjegim termash, për ata që s’e kanë jetuar atë kohë:

Megjithëse Partia qe e para, e para në listë, bile para atdheut, para popullit, para vetë familjes, të quheshe element antiparti ishe më pak i dënuar, se sa të quheshe armik i popullit. Sepse nuk qe tamam ashtu siç pretendohej, se në sistemin socialist rëndësi kish përmbajtja, jo forma. Kish rëndësi forma që ç’ke me të. Ishe me fat po të vihej nofka e parë, si në rastin e Natashës. Ne të tria që mbetëm vazhduam gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, kurse Natasha një gjimnaz në Berat. Pastaj më erdhi radha mua të ndahesha nga grupi tresh, kur mbaruam të mesmen, sepse nuk zgjodha arkitekturën si Nadja me Mirën, por fizikën.

Në ditët e para të shtatorit, vit që filluam studimet e larta, e takova Natashën në shkallët e godinës qendrore të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Kish filluar studimet në arkitekturë, në të njëjtin grup me shoqet e vjetra të fëmijërisë. Në fillim të vitit të dytë universitar, e takova përsëri Natashën, këtë herë në shkallët e fakultetit tim.

Ajo kish ndërruar degë sepse, nuk ja kish dalë dot as me arkitekturën as me shoqet e vjetra që, jo vetëm s’e shoqëronin më, por s’i jepnin as të njohur. Gojët e liga thoshin se, Nadja qe kujdesur që Natasha të mos studionte as në të njëjtën degë, as në një grup me të.

Matematika, si degë e vështirë, konsiderohej më e përshtatshme për të deklasuarit e moderuar, sepse për të tjerët, ish absolutisht e ndaluar (për armiqtë e popullit p.sh.). Në degën e matematikës, ku studioi për katër vjet, ajo jo vetëm nuk u dallua në mësime si më parë, por edhe s’kish ndonjë shoqëri të qëndrueshme.

Nuk besoj se ish shkak dënimi i të atit, shokët i ruheshin diçkaje tjetër, diçkaje që i endej si tis dhe që unë e ndjeva nga takimet e rastësishme që pata me të gjatë viteve të studimeve. Fillova edhe unë ta shmang, sepse tek ne askush s’kish imunitet, lidhur me statusin e vet politik. Të nesërmen, mund të gdhiheshe nga pala armiqësore me pushtetin, edhe për shkak të disa fjalëve të pamatura mirë.

Pas studimeve, secila shkoi në punë të vet, pra u ndamë përfundimisht nga njëra-tjetra. Mira u martua pa dashuri me një diplomat, shkoi me të jashtë shtetit dhe prej asaj kohe nuk u kthye më në Shqipëri, veçse për pushime. Unë fillova punën shkencore fillimisht në një Institut studimesh e, më pas në Fakultetin ku kisha studiuar. Nadja, punoi si arkitekte e më pas edhe ajo në fakultetin respektiv në Tiranë. Natasha u emërua në Berat, mësuese matematike, deri në momentin që i vëllai, u arrestua dhe dënua për “sabotazh”.

Unë s’e pashë më për vite, por e dija se të paktën familja e saj nuk u zhvendos nga Berati në ndonjë fshat të largët, mbeti brenda në qytet, që mund ta konsideroje përsëri fat, pas gjyqit special që ju bë të vëllait. Të kishin pasur mëshirë për të ëmën e paralizuar? Nuk ish zakon të mëshirohej e ëma e një “sabotatori”!

Takoheshim nganjëherë kur ajo vinte te kushërinjtë në Tiranë, ish plakur para kohe dhe ish transformuar. Sa herë takohesha bëhesha keq, jo vetëm se ajo tashmë ish nga pala kundërshtare me pushtetin, por më linte një shije të hidhur, asaj nuk i besohej më për asgjë, gënjeshtra ish bërë tipari i sajë kryesor, përkundër gëzimit dhe humorit të rinisë së hershme.

Në vitin 1974, “u zbulua” grupi armiqësor në Ushtri. N’atë kohë, im atë ish – gjeneral-lejtnant dhe drejtor i Institutit të Studimeve Ushtarake. Ish ndër të parët në listë edhe për arsye të funksioneve në Parti, si anëtar i Komitet Qendror të saj.

Në librin tim të publikuar vjet, “Vila me dy Porta”, përmes historisë së familjes sime, përshkruhen shkurtimisht dënimet politike të grupeve të ndryshme të djathta e të majta, nga vendosja e pushtetit të komunistëve tek ne, por kryesisht jam ndalur në atë që u quajt “Fshesa e Hekurt”. Me anë të kësaj fshese, Ushtrisë shqiptare ju bë një spastrim rrënjësor, duke dënuar me pushkatime dhe burgime të gjata, oficerët nga grada major e lart.

Akuza kryesore ishte ajo e komplotit në organizimin e një “grusht e shteti” në Shqipëri. Ishte koha e miqësisë së madhe me Kinën dhe të influencuar nga Revolucioni Kulturor i tyre edhe kundërshtimi për heqjen e gradave në ushtri, mund të të rendiste në radhën e komplotistëve. Për grupet e majta, ky qe një dënim i pashembullt, për nga përmasat njerëzore dhe familjare.

Familja ime, si shumë të tjera, u fshinë prej kësaj fshese.

Në dhjetor të atij viti, familja ime amë u dëbua nga Tirana për në Berat. N’atë kohë, unë vetë isha pedagoge në fakultetin e Shkencave të Natyrës, nënë e re me djalin një vjeç dhe me një burrë diplomat.

Brenda disa dhjetëra orësh, u gjenda pa punë dhe pa shtëpi në Tiranë, por me një divorc politik dhe një fëmijë që qante pa pushim, plus urdhrit të prerë për t’u larguar brenda 24 orësh. Prej këtij momenti, deri në kthimin tonë në Tiranë më 1991, nuk do kish më urdhra për t’u larguar, por zhvendosje të organizuar me ushtarë të armatosur me automatikë.

Skenat e njerëzve që dëbohen nga kjo lloj ushtrie e vogël, do më mbetej përherë nën lëkurë si diçka tronditëse dhe që do ta rijetoja pothuaj me të njëjtin intensitet, sa herë do më dilnin para sysh skena të ngjashme nga librat apo filmat. Deklinacioni im si dhe i gjithë familjes sime, qe Berati.

E dinim se atje na priste Natasha, por në fakt ajo u bë e gjallë më përpara mbërritjes sonë atje. Kish ardhur në Tiranë pak kohë pas dënimit të tim eti. Do isha përsëri me të atë vit që qëndruam në Berat dhe pesë vjet të tjera të internimit në fshatin Kutalli.

Nuk është ndonjë tmerr i madh të mësohesh pa jetën e kryeqytetit, të privohesh nga puna jote e dashur, nga miqtë, apo partneri, të mos kesh as një pikë rehatie dhe të jetosh në kushtet e mungesës së ujit, ushqimeve primare, të jetosh në një hapësirë të ngushtë të kontrolluar pa nda nga mikrofonë të instaluar, s’dihet se ku!

Nuk është ndonjë tmerr të punosh 18-20 orë në fushatat e verës dhe disi më pak në dimër, të mos kesh asnjë ditë pushim dhe të paguhesh sa për të mbajtur frymën gjallë, të mos kesh mundësi të pish një kafe vetëm a me të tjerë, të harrosh ç’është shëtitja, ç’është deti, ç’janë gjithë ato çikërrima që përbëjnë shijen e jetës…! Vështirë ishte tjetër gjë.

Vështirë ishte të mos dije t’i jepje përgjigje pyetjeve të fëmijës tënd të admirueshëm, që rritej pa fëmijëri, vështirë ishte të shihje sytë e prindërve të t’u që ndiheshin në faj për këtë situatë, vështirë ishte të mësoheshe me faktin se, rinia jote do grisej copë-copë në ato vende të humbura, vështirë ishte të shihje vëllezërit dhe sidomos motrën, të voglën e fëmijëve, që nuk do të kishte asnjë mundësi të provonte dashurinë…!

E vështirë ishte mungesa totale e lirisë, por më e vështirë akoma ishte pasiguria që pushteti të impononte në çdo rast dhe çast, se asgjë nuk është jotja, as familja, as puna as banesa, as miqtë, as zakonet e vogla të përditshme, as ai status mjeran që të kanë dhënë sepse ka edhe më keq…! Ka më keq brenda statusit tënd mjeran të internimit, por ka edhe burg, tortura, vdekje. Vërtet, pas 5 vjetësh për ne, pati edhe më keq. Brenda një intervali të shkurtër kohe, pas një dite të lodhshme 20 orëshe në përpunimin e duhanit, plaçkat tona të përgjysmuara u vërvitën majë ca kamionëve “Skoda” dhe familja ime mori rrugën për një destinacion të panjohur, por qartësisht të kuptueshëm për tek një vend më i largët dhe më i varfër. Ishim të rrethuar nga një ushtri e vogël ushtarësh të rinj që, mundoheshin më kot të egërsonin fytyrat e tyre.

Këtë situatë dhe të tjera si këto, jam përpjekur t’i përshkruaj në libër me grotesk, sepse më besoni, me gjithë dëshpërimin e madh që na jepte kjo shpërngulje për më keq, megjithëse lodhja dhe tensioni ishin në ekstrem, ne s’na mbetej tjetër gjë, veçse të qeshnim. Në fshatin ku u shpërngulën, në kooperativën e Sheqëzës, ku kishte gra që punonin zbathur edhe në dimër, qëndruam 11 vjet.

Këto vite, Natasha nuk u pa asnjëherë. Por sapo mbërritëm në vend banimin e ri, s’e patëm aspak të vështirë për ta kuptuar se ajo ish zëvendësuar me të tjera nga komuniteti i të dënuarve tiranas, dhe që mund ta kryenin detyrën e bashkëpunëtorit të rekrutuar, po aq mirë sa ajo.

Këto 11 vite, nga shoqet e mia të fëmijërisë dhe rinisë, pashë vetëm Nadjën, përmes televizorit në emisione apo rubrika, pasi që ajo po ecte e sigurt në karrierën e nisur. Qe e vetmja që dukej e qetë në gjithë botën që na rrethonte. Mendoj se këtë status të paarritshëm në socializëm, ja kishin siguruar prindërit, me përpjekjet e tyre të pakufishme si puthadorë të diktatorit, cilësi që edhe ajo i kish mishëruar me kohë.

Mira ish larg botës sonë, por e lidhur me fije të padukshme, që ja siguronte shoqja e saj e fuqishme. Në librin tim ato s’figurojnë askund, megjithëse në kujtimet e mija, kishin goxha vend.

Ai pushtet ndërhyri deri tek memoria jonë, duke ja zënë asaj hapësirën me të përditshmen imponuese. Nuk figurojnë ato që u bënë indiferente, ose edhe që mund të jenë tallur me vuajtjet e shoqeve të vjetra. Figuron vetëm Tasha, pa mbiemër dhe pikërisht me këtë emër të shkurtuar, figuron ajo, ngaqë pushteti na armiqësoi, duke na vënë përballë. Megjithatë, megjithëse jam munduar të fal sa më shumë, në këtë rast do arsyetoj në mënyrë krejtësisht ekzistenciale:

Gjithkush është i lirë të zgjedhë. Të zgjedhë të jetojë i poshtëruar edhe nga punonjësi më i parëndësishëm i Sigurimit, veçse për të siguruar një komoditet minimal, apo të jetojë në mizerje, ndoshta edhe në burg, por pa e ndjerë këtë poshtërim. Pati që zgjodhën të dytën dhe unë jam plotësisht me ta.

Në vitin 1991 pas rënies së Murit të Berlinit dhe gjithë ndryshimeve që pasuan në botë, unë u ktheva në Tiranë së bashku me familjen time.

Për shkak të studimeve të kryera dhe punës disa vjeçare para internimit, unë pata fatin të rifilloj punën në atë Institut Studimesh ku, kisha filluar punën për herë të parë. Filloi për mua, dhe të tjerët si unë, një kohë e trazuar, me vështirësi të panumërta. Në një nga intermexot e librit tim, e kam shprehur kështu këtë gjendje:

Mbaj mënd një natë, fund dimri, fillim pranvere te vitit 1991. Isha në këmbë tek Zogu i Zi, në rrugë, e shkujdesur, kur po e shihja qartë se një qime më ndante nga një makinë që vinte drejt meje me shpejtësi.

Në çast po mendohesha ta shmangja apo të futesha në rrotat e sajë, nga që para syve të mendjes, më doli e qartë pamja e një lufte të re, po aq të gjatë, që më duhej të përballoja në vitet që do të vinin, për t’u përfshirë në vorbullën e jetës që sapo kishim filluar përsëri në Tiranë…!

Këtu del sërish në skenë Natasha. Nga xhaxhai i sajë amerikan, kish trashëguar një vilë njëkatëshe me kopsht, një oaz të vërtetë qetësie dhe mirëqenieje.

Por ajo s’e pasqyronte aspak këtë gjendje. Ish mbledhur një grusht, qeshte po jo si në rininë e hershme, më mirë të them ngërdheshej, por jo nga gëzimi i jetës, tani gëzohej nga disa barsoleta banale dhe …kish filluar të pinte pa masë. Vendosa të mos e takoj më. Sepse pikërisht kësaj radhe, u binda përfundimisht për dyshimet e vjetra, por e lashë me kaq, s’kërkova të rrëmoja në arkiva.

Tek ne nuk u hapën kurrë ato arkiva, megjithëse prej tyre kanë rrjedhur shumë të dhëna që qarkullojnë dhe përdoren rast pas rasti. Unë pata fatin e mirë apo të keq, nuk di ta përcaktoj, që të më bjerë në dorë dosja ime jo e plotë, por e lidhur vetëm me deponimet e Natashës gjatë viteve.

E njoha menjëherë shkrimin dhe firmën e sajë. Më besoni m’u desh një javë e mirë të merrja veten. Nuk qe problemi i tekstit të gjatë, por i fundit të tij ku shkruhej qartas një konkluzion për të tre ne “miqtë e sajë” dhe që isha unë dhe vëllezërit e mi. Ajo shkruante:

Konkluzioni im është se:

Pranvera Bekteshi

Guxim Bekteshi

Skënder Bekteshi

Janë, armiq të betuar të Partisë dhe Pushtetit Popullor.
Kish kursyer vetëm motrën e vogël, Zanën.

Ky fakt është paraqitur edhe në libër, që u publikua pas 19 vitesh kthimi, atëherë kur ujërat u “qetësuan” dhe gurët zunë vend, në se gurët mund të zënë vend ndonjëherë. Të tria shoqet e mija e lexuan atë.

Nadja më takoi në rrugë dhe me atë ëmbëlsinë që s’e humbi asnjëherë, më bëri shumë lëvdata. Mira, sipas sajë, kish të njëjtin mendim për librin.

Tashës, ja dërguan kushërinjtë në SHBA, ku ajo jeton. Ajo nuk tregoi asnjë shenjë pakënaqësie, veçse tha se kish qenë e detyruar të jepte atë konkluzion, në fund të deponimeve të saja. Dhe se ajo kish për të rrëfyer, shumë më tepër se unë. E besoj, por ç’pret, do ishte mirë t’i shkruante ato për veten dhe ne të gjithë. Romanin tim autobiografik, fare mirë mund ta kisha paraqitur si fikshën, duke mos dhënë emrat realë si dhe vendet dhe ngjarjet. Preferova ta paraqes ashtu, për të shërbyer si një dëshmi, edhe duke e ditur mirë se do kish reaksion, siç edhe pati. Por nuk erdhi nga e prisja, erdhi prej atyre që mendoja se në heshtje do të më falënderonin.

Në kapitullin më të gjatë të librit, unë përshkruaj fqinjët që ishin kryesisht familje tiranase të internuara si ne. Kam bindjen se libri, do kish më tepër vlera nëse do kisha dhënë me vërtetësi të plotë, marrëdhëniet tona komplekse në ato vite në fshat. Nuk e bëra, duke menduar t’i ruaj ata njerëz, që të mos i bëja të vuanin përsëri.

I preka gjatë përshkrimit paksa “me pupël”, siç thuhet. Pikërisht ata u treguan më të egrit. Në kohën e internimit të përbashkët, ato akuzuan aq ashpër njëra-tjetrën, saqë mund të kishin përfunduar me sy të nxjerrë.

Pasi lexuan librin, pas shumë vitesh mërije, u organizuan grusht, veçse për një “qëllim të lartë”, për të më dënuar (mundësisht me burg), nga që kisha nxjerrë detaje nga jeta e tyre atje. Ato ishin detaje, që nuk u zbuluan kurrë në libër, por që i dinte e gjithë kooperativa e, më pas e gjithë bota që i njihte ato.

Ky është një shembull, edhe për mua vetë, se nëse do të denoncosh të keqen, duhet ta bësh atë deri në fund, sepse përndryshe, kjo e keqe ngrihet për të të dhunuar sërish.

Po me dy shoqet e tjera, ç’ndodhi pas vitit 1991?

Mira qëndroi jashtë shtetit, ku i shoqi dhe ajo nga diplomatë u konvertuan në tregtarë të zotë dhe tani jeton me fëmijët diku në Oqeani. Natasha, iku në Amerikë dhe jeton atje në mirëqenie të plotë.

Nadja, u largua me familjen nga Shqipëria, për t’u ruajtur nga ndonjë ndjekje penale dhe u fsheh ca kohë jashtë vendit, në Brazil a diku në Amerikë Latine. Është kthyer sërish këtu dhe tani vazhdon karrierën në një prej universiteteve privatë.

Unë punoj si eksperte mjedisi, në Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe pas pune po shkruaj historinë tonë e të tjera histori. Kur ndalem e bëj një lloj bilanci jetësor, më vjen në mend shpeshherë pyetja: A jemi ne të kthyerit nga burgjet dhe internimet, si plaku kubanez në brigjet e Karaibeve, që kthehet me skeletin e peshkut të madh, pasi ka mundur tërbimin e detit dhe gjallesave të saj? A ndjehemi ne si ai?

Do ishte mirë të ndjeheshe si ai dhe ta kaloje pleqërinë me kujtimin se të paktën kemi arrirë një fitore morale mbi të keqen.

Për vete e lakmoj atë gjendje, e kam fjalën për statusin e pensionistit, që po mundohem ta shtyj sa më shumë, dhe që kam frikë se nuk do ta arrij kurrë. Sepse pleqëria është mirë të gëzohet, është një moshë e pëlqyeshme ngaqë s’ke nevojë të shtiresh.

Kam frikë se, nuk do ta arrij kurrë atë, sepse më duhet të zëvendësoj vitet e humbura dhe të më besoni, nuk janë pak.

Edhe në kohën e mbajtjes së këtij referati, ata përsëri ndërhynë, po jo vetë, si gjithnjë me anë të të tjerëve, siç janë mësuar të veprojnë këto 20 vite, nga që e disponojnë si organizimin mes tyre, ashtu edhe mjetet financiare. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: