Ekspertët e sigurisë së vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetit, do të zhvillojnë një takim këtë të martë, për të shqyrtuar vaksinën Oxford-AstraZeneca, pasi disa vende evropiane kanë ndaluar injektimin e tyre në popullatë.

Deri më tani, rregullatori i ilaçeve në Britaninë e madhe dhe OBSH, thonë se nuk ka prova që kjo vaksinë, shkakton mpiksje të gjakut.

Rreth 17 milionë njerëz në Evropë dhe Britaninë e Madhe, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe në të gjitha rastet janë regjistruar më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut.

11 vende deri më tani kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së prodhuar nga AstraZenceca, përfshirë Gjermaninë, Francën, Holandën, Italinë dhe Spanjën.

A kanë gabuar këto shtete në marrjen e këtij vendimi?

Pra, 37 rastet e raportuara deri më tani, ku janë shkaktuar mpiksje të gjakut pas injektimit të vaksinës AstraZeneca, sipas disa ekspertëve janë brenda pritshmërive. Për më tepër, sipas tyre nuk ka ndonjë shpjegim të fortë se përse vaksina do të shkaktonte mpiksje të gjakut.

Kjo është dhe arsyeja kryesore se përse OBSH dhe Britania e Madhe thonë se pretendimet e ngritura janë të pabazuara në fakte, pasi nuk ka prova deri më tani që vaksina shkakton mpiksje të gjakut. Për këtë arsye, vendimi i disa vendeve për të pezulluar përkohësisht vaksinën, ka hutuar jo pak ekspertët.

Sipas BBC, refuzimi për injektimin e vaksinave në vende si Franca, Gjermania apo vende të mëdha evropiane do të jetë me pasoja vdekjeprurëse, pasi sipas tyre, këto vende kanë raportuar mijëra infeksione në ditë.

Çfarë ka thënë OBSH?

OBSH thotë se po heton raportet e mpiksjes së gjakut. Të hënën, një zëdhënës tha se nuk kishte “asnjë provë” që incidentet ishin të lidhura me vaksinën.
“Sapo OBSH të ketë marrë një kuptim të plotë të këtyre ngjarjeve, zbulimet dhe çdo ndryshim i pamundur i rekomandimeve aktuale do t’i komunikohen menjëherë publikut,” tha zëdhënësi i OBSH Christian Lindmeier.

EMA – e cila aktualisht po kryen një rishikim të incidenteve të mpiksjes së gjakut – tha se vaksina mund të vazhdojë të administrohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: