NGA DARINA TANUSHI*

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u shpreh dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se edhe 3 ditë kohë mbeten për të vendosur nëse do të jenë në një koalicion me PS-në apo jo. Sipas tij, nuk mund të nënshkruhet një marrëveshje e re me PS-në, pa u zbatuar një marrëveshje e mëparshme.
Zoti Milo, a do të presë Partia Demokristiane edhe shumë për një marrëveshje me PS-në?
Edhe të duam të presim, janë afatet kohore, të cilat na shtrëngojnë. Nuk ka veç 3 ditë akoma që të mbyllet afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, që është data e fundit 22 prill. Për rrjedhojë, këto ditë do të jenë vendimtare për të përcaktuar edhe qëndrimin e Partisë Demokracia Sociale në lidhje me koalicionin zgjedhor, të cilit ajo do t’i bashkohet.
Në marrëveshjen tuaj të 2013-ës, të cilën ju e keni theksuar shumë shpesh që nuk është respektuar, ka patur përcaktime që në bazë të votave ju mund të merrnit një zv/ministër, drejtorë të përgjithshëm apo edhe drejtorë rajonalë. Cilën nga këto pika nuk pranon të plotësojë PS?
Unë nuk dua që të keqkuptohet këmbëngulja me të cilën PDS kërkon tani respektimin e marrëveshjes së vitit 2013. Ajo e ka kërkuar zbatimin e kësaj kontrate gjatë gjithë periudhës së afërt 2-vjeçare, në mënyrë të vazhdueshme dhe duke qenë në kontakte me drejtuesit më të lartë të PS-së dhe të qeverisë. Nuk ka kërkuar absolutisht asgjë më shumë se çfarë i ka takuar në bazë të marrëveshjes. Ka pasur parasysh vështirësitë që janë kërkuar në proceset e plotësimit të standarteve, apo të prioriteteve kyçe të lidhura edhe me administratën publike nga ana e Bashkimit Evropian, por Demokracia Sociale ka qenë e matur, ka qenë mjaft e moderuar për të kërkuar ato çfarë mund të bëhen në fazën aktuale në të cilën ndodhemi. Pra, nuk kemi dashur që të pengojmë asnjë proces, por kemi kërkuar brenda atyre të drejtave tona që të trajtohet çdo gjë në bazë të kontratës për poste politike dhe në vende të tjera, që janë jashtë administratës publike dhe që nuk shkaktojnë shqetësime në raportet me institucionet monitoruese të Bashkimit Evropian. Nuk është sekret të thuhet që ka disa parti analoge të koalicionit të mëparshëm të zgjedhjeve parlamentare, të cilave u janë dhënë edhe 3 zëvendësministra, u janë dhënë edhe drejtori të përgjithshme, u janë dhënë edhe drejtori rajonale, ashtu sikurse ka edhe parti që deri dje kanë qenë në koalicionin e djathtë kundërshtare të PS-së dhe Aleancës për Shqipërinë Evropiane, të cilët kanë ruajtur pozicionet e tyre në administratën e lartë publike, pavarësisht se kanë qenë deri dje në opozitë. Pra, ne kemi qenë mjaft të duruar për të kuptuar vështirësitë, por nuk mund të rrimë edhe pa kërkuar atë çfarë na ka takuar dhe na takon. E gjitha çka ne kërkojmë ka të bëjë jo thjeshtë me disa vende pune, sepse duke nënvizuar këtë kërkesë, duket sikur banalizohet aleanca, duket sikur Demokracia Sociale të gjithë kontributin e saj në jetën politike dhe në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 e paska reduktuar në ca vende pune. Kjo do të ishte një qasje e gabuar, sepse para së gjithash, ashtu sikurse për 8 vite të tëra në opozitë kemi qenë në radhët e para të aksionit politik opozitar, pa llogaritur se ç’do të vijë më pas, ashtu sikurse kemi përfaqësuar denjësisht jo vetëm PDS-në, por edhe opozitën në tërësi në të gjithë këtë aksion opozitar të dikurshëm, ashtu kërkojmë që edhe në këtë fazë, kur ish-opozita është në qeverisje të mund të kontribuojmë për shkak edhe të vlerave që kemi dhe askush nuk mund të na i mohojë. Pra, këtu kemi të bëjmë në radhë të parë me një çështje të madhe morale, prej së cilës vuan politika shqiptare. Pra, për respektimin e kontratës, e cila është para së gjithash një marrëveshje që nuk ka vlerë juridike, por është një marrëveshje që ka baza morale dhe mbi të cilën ndërtohet dhe duhet të ndërtohet bashkëpunimi midis partive politike. Në rast të kundërt, çdo marrëveshje që nuk respektohet krijon terren për keqkuptime, për mëdyshje, mungesë besimi reciprok dhe që pastaj çon në fyerje të cilat nuk janë të mira për bashkëpunimin e radhës. Pra, mundet që ne sot të mos kemi një peshë të atillë politike për shkak të diskriminimit të ligjit zgjedhor, por jemi në të drejtën tonë morale që të kërkojmë respektimin e marrëveshjes. Pra, këtu jemi dhe kërkojmë që të ndërtohet baza për një marrëveshje tjetër, sepse në rast se nuk respektohet një marrëveshje e mëparshme, nuk mund të pretendohet që të nënshkruhet një marrëveshje e re.
Po në tryezën me zotin Gjinushi dhe zotin Dojaka për çfarë u bisedua?
Ajo ka qenë një tryezë kafeje, me shqetësimin e përbashkët për të diskutuar për zgjedhjet vendore që po vijnë dhe janë shkëmbyer vetëm mendime dhe as është arritur ndonjë marrëveshje, ashtu siç mund të aludohet.
Pra, s’kemi ende një pol të tretë?
Të paktën personalisht, por edhe Komiteti Drejtues Kombëtar i Demokracisë Sociale jemi shprehur shumë qartë, ne vazhdojmë të negociojmë me Partinë Socialiste dhe do ta bëjmë një gjë të tillë derisa të na lejojnë afatet kohore, me qëllim që të gjejmë një marrëveshje të re, mbi bazën e respektimit të marrëveshjes së vjetër. Kjo do të thotë që ne nuk duam që të largohemi nga koalicioni i natyrshëm, veç po qe se të tjerët duan të na largojnë.
Ka mes jush një “xhelozi” për afrimin me FRD-në apo PDIU-në, pasi kemi parë që kjo është shprehur nga PBDNJ?
Ne nuk na shqetëson çdo lloj kombinacioni politik që bëhet në funksion të zgjedhjeve vendore. Gjithsecili do të marrë hakun që i takon, sepse janë zgjedhësit ata që do të vendosin për cilën alternativë do të votojnë. Çdo parti ka elektoratin e vet, anëtarësinë e vet, simpatizantët e vet dhe nganjëherë në Shqipëri kufijtë ndarës të simpatizantëve dhe votuesve janë kaq të qarta sa nuk interferojnë. Nuk ka ndonjë shqetësim dhe as nuk ka pse të shpreh gjë. Madje e gjykoj absurde që dikush të gjykojë apo të shfaqë pakënaqësi për kombinacione politike dhe aq më shumë elektorale. Ne do të marrim votat e zgjedhësve tanë, simpatizantëve tanë nga puna jonë, nga kontributet tona dhe sigurisht edhe nga një fushatë elektorale që ne tashmë thuajse e kemi filluar.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: