Në vijim të trajtimit historik që profesor Paskal Milo i ka bërë Marrëveshjes së Mukjes në librin e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” vëllimi I, botuar në nëntor 2014, rezulton se një tjetër arsye pse PKSH doli kundër kësaj marrëveshjeje ishte dhe kërkesa për një Shqipëri etnike.

Sipas historianit, Balli Kombëtar e kishte në program këtë tezë dhe kërkonte zgjidhje të menjëhershme. Ndërsa PKSH i qëndronte parimit universal të vetëvendosjes së popujve, por pas luftës.

PASKAL MILO
Arsyeja e dytë e supozuar, por asnjëherë e pranuar zyrtarisht nga PKSH për prishjen e marrëveshjes së Mukjes, ka qenë pika 2 e saj për Shqipërinë etnike. Kjo çështje ishte bërë një vijë ndarëse, jo në thelb, por në formë; jo si strategji, por si taktikë mes Ballit Kombëtar e PKSH-së.
Anëtarët e dy partive ishin shqiptarë e atdhetarë në përgjithësi, mbështetnin aspiratën mbarëshqiptare për bashkim, por krerët e tyre kishin qasje të ndryshme për metodën, rrugën dhe kohën e realizimit të tij. Balli, si parti e djathtë e me thekse nacionaliste, e kishte në programin e tij konceptin e Shqipërisë etnike. PKSH nuk e kishte shprehur në mënyrë eksplicite këtë koncept, por kishte theksuar gjithnjë si zgjidhje për bashkimin e shqiptarëve zbatimin e parimit universal të vetëvendosjes së popujve. Këtë parim e mbronte edhe Internacionalja Komuniste e për rrjedhojë edhe anëtarja më e re e saj, Partia Komuniste e Shqipërisë.

Edhe PKJ, aleate e PKSH-së deri në atë kohë mbronte këtë parim. Në marrëveshjen e Mukjes, pas diskutimesh të gjata, u vendos fraza e shartuar që i referohej dhe Kartës së Atlantikut, që nënvizonte parimin e vetëvendosjes së popujve, por edhe koncepti i Shqipërisë etnike. Kjo pikë e marrëveshjes ishte në kundërshtim me qëndrimin që kishte mbajtur PKSH deri në atë kohë dhe e vinte atë në një pozitë delikate në raport me PKJ-në, që ishte deklaruar për vetëvendosjen, por që shihte zbatimin e saj në kushtet e pasluftës. Në fakt, PKJ kishte dhënë shenja se kishte filluar të tërhiqej nga ky parim dhe nuk do të vononte veç disa muaj pas Mukjes, në nëntor 1943 në Jajcë të Bosnjës, pa marrë parasysh vullnetin e dëshirën e shqiptarëve, të vendoste përfshirjen e Kosovës e të shqiptarëve të tjerë në ish-Jugosllavi, në Federatën e ardhshme Jugosllave. Të deleguarit jugosllavë pranë PKSH-së, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, e kishin diskutuar shpeshherë këtë çështje me udhëheqësit komunistë shqiptarë. Në ndonjë rast, mosmarrëveshja kishte shpërthyer hapur, siç ndodhi në polemikën midis Koço Tashkos e Miladin Popoviçit në fund të vitit 1942.

Nuk ka dyshim që pika 2 e marrëveshjes së Mukjes u diskutua në Kucak në ditët e para të gushtit kur aty u ndodh edhe Tempo. Dushan Mugosha në kujtimet e tij ka shkruar se Tempo “kontribuoi në një masë të madhe” në dënimin shumë të ashpër që KQ i PKSH-së i bëri Marrëveshjes së Mukjes. Vetë Tempo në kujtimet e tij për ato ditë që u ndodh në Kucak, e pohon se e ka kritikuar shumë këtë marrëveshje, por nuk përmend shprehimisht pikën 2 të saj. Popoviçi për këto diskutime e debate rreth temës së Shqipërisë etnike informoi edhe Josif Broz Titon. I vetmi që në atë kohë e shprehu hapur arsyen e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes ka qenë Bedri Spahiu, kreu i Qarkorit të PKSH-së për Gjirokastrën. Në debatin me Ali Këlcyrën në këtë qytet në fund të shtatorit, duke iu referuar Mukjes, ai deklaroi se “nuk mund të bëjmë marrëveshje me një Organizatë Shqiptare, që ka për parim mbrojtjen e kufijve etnikë, mbasi një gjë e tillë na vë në konflikt me aleatët tanë”. Enver Hoxha e përjetoi marrëveshjen si një disfatë.

Ai së bashku me të tjerë, përfshi edhe Miladin Popoviçin që gjithnjë kishte qenë i prirur për të arritur në një marrëveshje, nuk dolën nga vorbulla e interesave partiake e vetjake e të shihnin te ajo, çfarë ishte kryesorja, mesazhin e bashkimit. PKSH bëri një gabim taktik që i kushtoi shtrenjtë, i garantoi Ballit pa dashje një sukses e fitore, të cilat ai i shfrytëzoi. Enver Hoxha e ka pranuar këtë humbje të PKSH-së në opinion në favor të Ballit edhe në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare në Labinot në fillim të shtatorit 1943, por edhe në Plenumin e parë të KQ të PKSH-së, në maj 1944.
Veçse këtë humbje ai ua faturoi Ymer Dishnicës e Mustafa Gjinishit, apo të tjerëve që ishin në Mukje dhe nuk e pa asnjëherë si një gabim në orientim në vijën e PKSH-së, që refuzoi, me gjithë të metat e marrëveshjes, të ecte në rrugën e bashkimit e në proces të bëheshin edhe korrigjimet e duhura. Në Plenumin e II të KQ të PKSH-së në Berat ai ka pohuar se “nuk dinim si ta zgjidhnim problemin e Mukjes.
Në vend që ne të gjenim zgjidhjen e këtij problemi, unë dhe Aliu shikonim se ç’masa të merrnim kundër Ymerit… Nuk na shkoi aspak në mëndje ta analizonim Mukjen dhe gjendjen që u krijua në atë kohë”. Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra e krerë të tjerë të Ballit Kombëtar e përdorën Mukjen dhe frymën që ajo krijoi, për të shtrirë e zgjeruar influencën e tij. Menjëherë pas Mukjes, ata shkuan në veri të Shqipërisë.

Në fund të gushtit, ata organizuan në Lurë një Kuvend të krerëve e bajraktarëve të Dibrës, Matit, Krujës, Lurës e Lumës, mes të cilëve ishin edhe Abas Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Cen Elezi, Hysni Dema, Myftar Kaloshi, Aqif Lleshi e shumë të tjerë. Në këtë Kuvend u lidh besa për të shmangur çdo “konflikt midis personash dhe të rregullojë çdo grindje të drejtash, të pushojë gjakun, si dhe të sigurojë qetësinë nga keq-basit”. Në thirrjen e lëshuar nga “malet e Shqipërisë së Lirë” nuk kishte asnjë fjalë për bashkim për luftë kundër pushtuesve fashistë italianë.

Disa ditë më vonë, në Dibër u organizua një mbledhje tjetër me përfaqësues nga Tetova, Gostivari, Struga e Kërçova, ku u shpall “Komiteti Dibran” me në krye Fiqiri Dinen, për të koordinuar “forcat kombëtare në mes të Kosovës e të Dibrës, për luftë të vendosur kundra çdo armiku qi do të kërkojë me dënue integritetin tokësor shqiptar”. Përsëri asgjë për luftë kundër pushtuesve gjermanë, që po zëvendësonin me shpejtësi ata italianë! Udhëheqja e Ballit Kombëtar ende në fund të gushtit nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga Lëvizja Nacionalçlirimtare për fatin e marrëveshjes së Mukjes. Këshilli i Përgjithshëm, përmes Mustafa Gjinishit, në 7 gusht kishte kërkuar shtyrjen e afatit të mbledhjes së Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë për rreth një javë. Në 15 gusht, Balli paraqiti propozimin e tij për anëtarët e Komitetit të Përhershëm, ndërkohë që nga Komiteti i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar po mbahej heshtje e plotë. Në jug të vendit, në terren, marrëdhëniet midis Ballit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare vazhdonin të ndikoheshin, për mirë ose për keq, edhe nga faktorët politikë e ushtarakë lokalë të të dy palëve.

Diku kishte bashkëpunim në aksione e veprime të armatosura të ndikuara edhe nga marrëveshja e Mukjes, diku tjetër kishte tensione e rivalitete që çonin edhe në përleshje me armë, siç ndodhi në Kolonjë e në Korçë midis forcave të Ballit të komanduara nga Safet Butka dhe atyre partizane të drejtuara nga Petrit Dume e Nexhip Vinçani. Atmosfera e marrëdhënieve ishte e mbarsur me tensione dhe mjaftonte edhe provokimi më i vogël që ato të shpërthenin hapur. Ndodhte si për ngjarjen e Blushit në Kolonjë në 21 gusht, ku forca të batalionit partizan “Hakmarrja” u përplasën me armë me forcat e Ballit dhe akuzonin njëri–tjetrin për përgjegjësinë e për dy të vrarët. PKSH donte të evitonte përplasjen publike dhe aq më tepër atë me armë me Ballin.

Por ajo donte të ndahej plotësisht nga Marrëveshja e Mukjes, që në gjykimin e saj ishte e dëmshme dhe i cenonte interesat. Qarkoret nuk kishin mjaftuar për të sqaruar anëtarësinë e Partisë dhe këshillat nacionalçlirimtare. Një muaj pas Mukjes, ende nuk ishte bërë denoncimi zyrtar i Marrëveshjes nga organi që inicioi bisedimet për ta arritur atë, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Për ta bërë këtë gjë, por edhe për të shqyrtuar situatën e brendshme e të jashtme, punën e këshillave nacionalçlirimtare dhe marrëdhëniet e tij me rrymat e tjera politike, në 4-8 shtator 1943 në Labinot u mblodh Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare. Aty u bë gjyqi i Marrëveshjes së Mukjes dhe dënimi zyrtar i saj. Enver Hoxha i bëri pretencën, ndërsa Konferenca dha verdiktin e pushkatimit të saj.

Në bankën e të akuzuarve u vunë edhe Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi, por ata si fajtorë “të penduar” bënë “mea culpa-n” e tyre. Rezolucioni i miratuar në Konferencë ishte thelbi i të gjitha çështjeve që u diskutuan aty dhe një kundërvënie e plotë ndaj Marrëveshjes së Mukjes e Ballit Kombëtar. Ajo, thuhej aty, “cenon parimet kryesore të Konferencës së Pezës, është në kundërshtim me interesat e luftës dhe të bashkimit të popullit shqiptar”. Balli Kombëtar u etiketua me një gjuhë shumë të ashpër dhe po kështu edhe disa krerë të tij. U la e hapur porta për marrëveshje e bashkëpunim, veç me disa kushte që nuk ishin të reja, si bashkim të plotë rreth Lëvizjes Nacionalçlirimtare, njohjen e këshillave nacionalçlirimtare si i vetmi pushtet i popullit në Shqipëri, etj.. Rezoluta iu kundërvu konceptit të Shqipërisë Etnike, që kishte zënë vend në Marrëveshjen e Mukjes, por pa e përmendur hapur atë.

Çështja e Kosovës dhe Çamërisë, thuhej aty, “do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimeve të vetëvendosjes së popujve dhe garancia më e madhe për triumfin e këtij principi është vetë lufta që bëjnë dhe do të bëjnë Kosova dhe Çamëria krah për krah me popujt jugosllav e grek kundër okupatorit fashist…”. Kushtet e PKSH-së, pavarësisht gjynaheve e kompromiseve të paprincipta që Balli Kombëtar kishte bërë me qeveritë kolaboracioniste, ishin të vështira, në mos të pamundura për t’u pranuar. Asnjë forcë politike nuk mund të vente të bashkohej me një lëvizje ose front që dominohej nga një parti tjetër rivale pa marrëveshje të negociuara. Këmbëngulja për të pranuar në mënyrë të njëanshme kushtet e palës tjetër e bënte fiktive edhe ftesën për bashkëpunim.

Megjithatë, pas Mukjes, por edhe pas Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare në Labinot, në rrugë jozyrtare vazhduan takimet midis përfaqësuesve të Këshillit të Përgjithshëm dhe atyre të Ballit Kombëtar. Takim i veçantë e jo si përfaqësues i Ballit u bë me Mehdi Frashërin, i cili pas kapitullimit të Italisë erdhi, ose më mirë e sollën në Shqipëri, nga Roma. Ai kishte ruajtur integritetin e tij dhe nuk ishte përlyer me italianët. PKSH kërkoi ta tërhiqte në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar, prandaj Dishnica dhe Omer Nishani e takuan. Por i zhgënjeu. “Ka rënë në pozita gjermane; ka rënë në pozitat e Ballit; pozita jonë i duket intrasigjente, pozitë komuniste… Luftën tonë të sotme e quan “holocauste” (flijim-fr.); s’ka asnjë besim nër Aleatët e Mëdhenjë”, i shkruante Dishnica Enver Hoxhës. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Balli Kombëtar kanë pasur edhe takime të tjera, midis përfaqësuesve të ndryshëm në nivel qendror e lokal, madje edhe me ndërmjetësinë e Bill Maklinit, siç ka ndodhur në Pogradec në 24 shtator.

Këtu Kol Tromara i Ballit u takua me Pilo Peristerin e Isuf Kambon e Lëvizjes Nacionalçlirimtare për të organizuar një aksion të përbashkët kundër gjermanëve në Qafë Thanë. Përfaqësues të Frontit kanë pasur takim me ftesë të tij e në emër të Ballit edhe me Ali Këlcyrën për të diskutuar rreth mbledhjes së dytë të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë. Kjo është një histori jo e pakët takimesh, bisedimesh e negociatash midis shqiptarëve me përkatësi e bindje politike të ndryshme. Ajo dëshmon se ata kanë qenë diçka më bashkëpunues se çfarë janë paraqitur në lojën publike të politikës në atë kohë, apo siç mund t’i kenë përshkruar më vonë të tjerët. Kjo tablo do të bëhej edhe më intriguese, pse jo edhe më realiste, nëse i besohet edhe një dëshmie të kohës, se në gusht 1943, në Vithkuq, Enver Hoxha është takuar me Safet Butkën, ku kanë biseduar vetëm rreth dy orë për uljen e tensioneve e për bashkëpunimin në luftën kundër pushtuesve.

Shkalla e vërtetësisë mbetet relative, por as edhe e pamundur. Enver Hoxha dhe Safet Butka kishin qenë kolegë, e njihnin njëri-tjetrin, pavarësisht nga bindjet dhe rivaliteti politik, të dy e donin Shqipërinë, njëri si komunist e tjetri si antikomunist. Hoxha kishte takuar thuajse të gjithë kryesinë qendrore të Ballit, ndaj edhe nuk kishte arsye pse të mos e takonte edhe Safet Butkën. Në mes tyre qëndronte edhe i vëllai i Safetit, Muharremi që ishte me Lëvizjen dhe Fetah Butka, kushëriri i tij, pjesëmarrës në Konferencën e Pezës e më vonë bashkuar me Ballin Kombëtar. Këto ngjarje ishin sfida komplekse të kohës e që mbeten më vonë dilema të historisë së tyre. Ato ndodhën në kapërcyell të ndërrimit të pushtuesve, kur sëpata e Liktorit italian ia linte vendin kryqit të nazizmit gjerman. Shqiptarët ishin të ndarë kur çizmja e hekurt e ushtrisë hitleriane shkeli Shqipërinë. Thuajse të gjithë territoret e banuara nga shqiptarët në Ballkan ranë nën kontrollin e Rajhut gjerman./PANORAMA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb