Paskal Milo ka komentuar për vendosjen e bazës ushtarake amerikane në vendin tonë duke e cilësuar atë si një investim historik në planin strategjik dhe mbrojtjes.

I ftuar në një studio televizive ai u shpreh se kjo që po vjen në Shqipëri është një bazë e këtyre forcave që vendoset në Shqipëri si vendi më i preferuar i SHBA dhe ajo do të kryejë këtu veprime dhe brenda kompetencave për të vëzhguar nga afër zhvillimet në rajon.

“Një investim historik në planin strategjik dhe mbrojtjes jo thjesht si anëtar i NATOs, por vetë SHBA kanë dhënë një kontribut të madh si në çlirimin e Evropës ashtu dhe në garantimin e paqes. Këto komanda speciale për Evropën është një strukturë e vjetër e strategjisë, e mbrojtjes amerikane në Evropë dhe si e tillë ka disa funksioneve mes të cilave mban të përgatitur dhe struktura të veçanta të posaçme që ndjekin zhvillimet dhe përgatisin forca për operacione që të jenë në gatishmëri për çdo të papritur në fushën që mbulon Amerika në Evropë. Kjo që po vjen në Shqipëri është një bazë e këtyre forcave që vendoset në Shqipëri si vendi më i preferuar i SHBA dhe ajo do të kryejë këtu veprime dhe brenda kompetencave për të vëzhguar nga afër zhvillimet në rajon për të përgatitur përmes stërvitjeve që ju bën jo vetëm forcave shqiptare por dhe aleatëve të tjerë në rajon. Me pak fjalë do jetë një njësi e specializuar që do vëzhgojë zhvillimet në rajon dhe do ngrejë nivelin e forcave speciale rajonale për një reagim të shpejtë, disiplinë të forcave të organizuara”- u shpreh ai.

I pyetur se fakti që është zgjedhur Shqipëria për këtë bazë çfarë impakti mund të ketë, Milo sqaroi se Shqipëria është një vend strategjik gjeografikisht duke dhënë mundësinë e një vëzhgimi rajonal perfekt. Ndërsa nëse mund të ketë influencë në trafikun e drogës, ai tha se vendi ynë si anëtare e NATOs ka përgjegjësi të garantojë sigurinë në trafiqet e të gjitha llojeve.

“Shqipëria është një vend strategjik gjeografikisht dhe në raport me Mesdheun dhe në raport me Adriatikun, Ballkanin në tërësi, me pak fjalë Shqipëria rrezaton një vëzhgim rajonal perfekt dhe që këtu kjo bazë është në gjendje të bëjë vlerësime, rekomandime dhe atë aspektin praktik që mund të shndërrohet në një shkollë instruktimi për forca të tjera rajonale që do luajnë këtë rol, për një zgjerim dhe që do koordinohet me forca të tjera që jo detyrimisht do jenë të ardhura nga kjo komandë por do kenë këtu pikën e referencës nga kjo Shqipëri. Në konceptin modern strategjik të sigurisë jo vetëm kombëtare, rajonale, por Shqipëria është anëtare e NATOs dhe ka përgjegjësi evropiane dhe duhet të ushtrojë detyra dhe të marrë pjesë në struktura që garantojnë sigurinë dhe këtu hyn dhe trafiqet ilegale të të gjitha llojeve, ku veçanërisht është droga ku Shqipëria është një vend kalim i drogave të forta duke krijuar shqetësime të mëdha në Evropë dhe kompetencat e kësaj patjetër që do jetë përfshirë dhe vëmendja për ta luftuar nga afër rrjetin e sofistikuar e trafikut të drogës dhe për të luftuar në mënyrë të veçantë dhe prodhimin e drogave të ndryshme. Ka rëndësi në stabilitetin e vendit dhe rajonit dhe është e rëndësishme të krijohet në Shqipëri”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb