Ish-ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Sokol Gjoka, aktualisht drejtor i organizatave ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për luftën që Rusia ka nisur prej tri ditësh ndaj Ukrainës.

I ftuar në studio, ish-ambasadori Gjoka zbuloi qëllimet e Vladimir Putinit mbi Ukrainën, teksa tha se ai kërkon të destabilizojë dy rajonet në Lindje të Ukranës, në mënyrë që të fusë aty njerëzit e tij dhe mercenarë, që të luftojnë rendin kushtetues të Ukrainës. Më tej, një ndër qëllimet kryesore të Putinit është edhe frika e bashkimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Mes të tjerash, teksa vlerësoi reagimin ndërkombëtar, duke thënë se do të ketë efekt të madh mbi Rusinë, ish-ambasadori u shpreh se ndërkombëtarët nuk mund t’i përgjigjeshin Rusisë me ushtri, pasi efektet do të ishin të paparashikueshme.

Pyetje: Cilat ishin argumentet e dobëta dhe cili është qëllimi i Putinit?
Në fjalimin, që zgjati mbi 15 minuta, Putini përdori argumente pa bazë, sajesë, për të justifikuar veprimet e tij ushtarake. Ta nisim me goditjen e NATO-s në Kosovë kundër regjimit të Millosheviçit. Ne e dimë të gjithë, se jemi dëshmitarë, që lëvizja e NATO-s u ndërmor pas vrasjeve në Rajçak, ku kishim të bënim me vrasje të pastra të regjimit të Millosheviçit kundër shqiptarëve. Kjo solli dhe reagimin shumë të fuqishëm të OSBE, përmes ambasadorit, i cili e ndërkombëtarizoi çështjen dhe bëri atë që të rriteshin sensitivitetet e ndërkombëtarëve. Duke qenë se Rusia është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, natyrisht që çështja nuk mund të merrte miratimin në këtë këshill, pasi Rusia nuk i pranon këto lloj sfidash, pasi është kundër kartës së OKB, kundër zbatimit të ligjeve ndërkombëtare dhe kundër mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Argumentet e tjera se NATO po zgjerohet e po vjen përreth kufijve të Rusisë, NATO është një organizatë mbrojtëse dhe garantore e paqes dhe sigurisë në gjithë botën. Në këto kushte, NATO nuk ka ndërmarrë asnjëherë ndonjë sulm ushtarak kundër ndonjë vendi, përkundrazi ajo mbron të gjitha vendet anëtare. NATO është në shërbim të vendeve anëtare. Por, zëri i NATO dhe politika e NATO është në shërbim të forcimit të paqes e sigurisë. NATO vepron sipas traktateve.

NATO mbron interesat e vendeve anëtare. Ndërkohë që në rrafshin politik, NATO patjetër që është deklaruar, madje edhe me veprime që nuk janë parashtruar më përpara, që të mbrojë edhe integritetin e sovranitetin në rrafshin politik. Por, për sa i përket veprimeve ushtarake, NATO e ka të përcaktuar ku i ushtron. Putini thotë që po mbron të drejtat e qytetarëve të dy rajoneve në Lindje të Ukrainës, por ato dy rajone janë pjesë të Ukrainës, e për rrjedhojë janë pjesë e sovranitetit të Ukrainës. Destabilizimin në këto dy rajone Rusia ka kohë që po e kryen, siç bëri me Krimenë. Qëllimi është destabilizimi i këtyre dy rajoneve, futja e njerëzve të tyre aty, futja e mercenarëve për të luftuar kundër rendit kushtetues të Ukrainës. Një nga qëllimet kryesore të Putinit është të ndalë Ukrainën të bashkohet me Perëndimin, pasi vitet e fundit ka parë që Ukraina po afrohet gjithnjë e më shumë drejt Perëndimin. Ukraina duke shprehur interesat e saj për t’u bërë pjesë e BE, NATO, pikërisht kjo e shqetësonte Putinin. Putini pa që Ukraina nuk ishte në linjë me vijën politike të Moskës, ndaj dhe zgjodhi rrugën e forcës.

Pyetje: Sa mund të agravojë, a mund të shpërndahet sulmi rus në vend tjetër?
Fillimisht do të shohim sa do përparojë ky sulm brenda Ukrainës, pasi presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë e Putinit është në maksimum. Janë marrë një sërë masash të karakterit diplomatik, izolues, ekonomik, financiar, por edhe me qëndrime të forta të NATO-s, por pa anashkaluar edhe qëndrimet e forta të vetë Ukrainës. Të gjitha këto e kanë vënë Putinin dhe administratën e tij mbështetëse në pozita të vështira. Ky lloj presioni ndërkombëtar, dhe është e kuptueshme pse ndërkombëtarët nuk u përballën në front ushtarak me Rusinë, pasi efektet do të ishin të paparashikueshme, por zgjodhi rrugë të tjera, që Rusia i di. Përmes presioneve e sanksioneve që janë vendosur që nga Putini e deri te kompani, banka, zyrtar, pra ata që financojnë luftën, besoj se efektet do të jenë shumë të forta për ekonominë ruse, administratën ruse e vet drejtimin e Rusisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb