ATHINE- Një shqiptar që ndodhet mes të plagosurve nga zjarret masive që përfshinë Greqinë, po lufton me jetën, ndërkohë dy të tjerë janë jashtë rrezikut.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada shqiptare në Athinë. Kjo e fundit përmes një njoftimi në ‘Facebook’ thekson se shqiptari i minoritit grek ndodhet në spitalin Evangelismos. Ndërkohë dy shqiptarët e plagosur banojnë në zonën e Matit. Sakaq, nga zjarret janë shkaktuar edhe dëme tek banesat e shqiptarëve, të cilët janë strehuar përkohësisht në një kamp pushimi.

“Në vijim të njoftimeve tona mbi situatën pas zjarreve shkatërruese në rajonin e Atikës, Ambasada ka vijuar gjatë ditës së sotme inspektime në terren nga ku rezulton se:
– Në zonën e Matit raportohet për dy shtetas shqiptarë të lënduar lehtë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, përsa i përket pjesës tjetër të komunitetit raportohet se janë djegur banesat ku jetonin disa prej tyre, si dhe disa automjete personale. Banorët e prekur janë transferuar përkohësisht në një kamp pushimi të zonës i cili është kthyer në strehë banimi të përkohshme.
– Në zonën e Rafinës raportohet një shtetas shqiptar i minoritetit grek që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos, ndërsa familjarët e tij gëzojnë shëndet të plotë.
– Për zonat e tjera të prekura më së shumti nga zjarri, si Kokkino Limanaki dhe Ano Voutsa, Ambasada vazhdon të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet greke për të marrë informacione në vijim.
Ripërsërisim se për çdo informacion ose nevojë për ndihmë mund të na kontaktoni në 24 orë në nr. +306941658183”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Deri më tani 80 persona kanë ndërruar jetë nga zjarret, ndërkohë që shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi 24 prej viktimave janë fëmijë. Ndërkohë dyshohet për qindra persona të zhdukur. Po ashtu bëhet e ditur se mes të zhdukurve ka edhe dy shqiptarë.

REAGIMI I AMBASADËS
Ambasada e RSh-së në Athinë njofton se në vijim të verifikimeve në terren rezulton se një shtetas shqiptar i minoritetit grek ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos. Jemi në ndjekje të situatës duke komunikuar me qytetarë, anëtarë të komunitetit në zonat e prekura të rajonit të Atikës, si dhe me autoritetet kompetente të emergjencës së qeverisë greke.

Ripërsërisim se për çdo informacion ose nevojë për ndihmë mund të na kontaktoni në 24orë në nr. +306941658183.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: