Kreu i partisë Republikane Fatmir Mediu, në një lidhje skype në News24, ka komentuar luftën në Ukrainë dhe pasoja e saj, të cilat siç sqaroi pritet të jenë të zgjatura në kohë, pavarësisht se kur mbaron konflikti ushtarak.

Mediu shtoi se bota tashmë është e ndarë në të paktën dy pole, në një anë qëndrojnë shtetet demokratike dhe nga ana tjetër shtetet e tjera që kanë kërkuar krijimin e një rendi të ri botëror, ndaj ai parashikon pasoja të gjata gjeopolitike dhe ekonomike.

Mediu ka bërë edhe një zbulim, kur tha se në Asamblenë e OKB, ku pjesë është edhe Rusia dhe ku përjashtimi i saj është bërë i pamundur, përfaqësuesit e vendeve të tjera kanë planifikuar një “akt revolte”.

Në momentin që fjalën do ta marrë përfaqësuesi i Rusisë, përfaqësuesit e tjerë do të ngrihen me flamurin e Ukrainës në duar.

“Lufta nuk ka nisur para një citi. Ajo gjeopolitike dhe ekonomike ka nisur shumë kohë më parë.

Të gjitha zhvillimet treguan se idea për të bashkëpunuar me Rusinë në aspektin ekonomik, u kthye në bumerang duke përdorur gazin për arsye ushtarake.

Konflikti ushtarak ka nisur me Gjeorgjinë, vijoi me Krimenë e më pas me luftën në Ukrainë. Bota është e ndarë në të paktën 2 pole, në një është Kina, Rusia dhe Irani dhe nga ana tjetër është perëndimi. Nëse lufta ushtarakisht do ketë një fund, do jetë një luftë me pasoja të gjata gjeopolitike.

Do kemi një luftë të ftohtë mes dy poleve, vendeve demokratike dhe vendeve të tjera, të cilat kanë krijuar polin e tyre. Ato kanë hedhur idenë e një rendi të ri botëror që do të ndryshonte rregullat.

Do jetë një situatë që do sjellë diskutime të reja në arenën ndërkombëtare.
Në asamble këtë radhe kemi një problem pasi pjesë e saj është edhe Rusia.

Idea për përjashtimin e saj nuk mund të bëhet pasi sipas rregullave nëse ka mbështetjen e një shteti tjetër nuk mund të përjashtohet.

Në momentin kur do të flasin përfaqësuesit e Rusisë, përfaqësuesit e vendeve të tjera do të ngrihen me flamujt e Ukrainës në duar. Bëhet fjalë për nesër.

Sot kam qenë në takim informal me kongresmenët amerikanë dhe kemi përgatitur një deklaratë të përbashkët dhe mbështetja do të jetë pro Ukrainës.

Kohëzgjatja e konfliktit mban riskun e uljes së ndihmave”, ka deklaruar Mediu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: