NGA ZONJA VJOLLCA

500 gr makarona
600 gr patëllxhanë
2 kokrra qepë
500 gr domate të pjekura
100 gr pançetë
100 gr djath kaçkavall i butë
2 lugë gjelle vaj ulliri
Vaj për skuqje
3 lugë gjelle djath parmixhano
2 lugë gjelle miell
Kripë
Piper i zi
Borzilok

Fillimisht pastrojmë patëllxhanët, i presim ato në feta të hollë me trashësi 2 mm, i spërkasim me kripë dhe pasi i vëmë një peshë mbi to i lemë për 10 minuta të nxjerrin hidhërimin dhe lëngun. Më pas i shpëlajmë nga kripa dhe i thajmë me letër kuzhine.

Lyejmë patëllxhanët me pak miell, vendosim një tigan me vaj për skuqje dhe sapo vaji të nxehet skuqim fetat e patëllxhanëve nga të dy anët sa të zverdhen, i largojmë dhe i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të përthithur yndyrën e tepërt.

Ndërkohë vendosim tenxheren me ujë të vlojë, shtojmë pak kripë dhe vendosim makaronat të ziejnë jo plotësisht.

Ndërkohë që makaronat ziejnë kaurdisim qepën në një tigan me dy lugë vaj ulliri. Më pas shtojmë pançetën, e kaurdisim derisa të marrë pak ngjyrë dhe më pas shtojmë domatet të prera trashë, kripë dhe piper të zi.

Lyejmë një tavë me vaj ulliri shtrojmë një shtresë me makarona i spërkasim me salcën e përgatitur dhe mbi to shtrojmë një shtresë me feta patëllxhani përsëri shtresë me makarona mbi to, salcë dhe në fund e përfundojmë tavën me djathë kaçkavall të butë dhe djathë parmixhano të grirë. E vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 20-25 minuta.

(m.k/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb