Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit nuk i ka kursyer kritikat për ministrinë e Financave sa i takon Vendimin e Këshillit të Ministrave për ‘vjeljen’ e gjobave në rast të pastrimit të parave.

Ai theksoi se ndonëse qeveria e ka miratuar këtë vendim, procedura për marrjen e këtyre gjobave nuk është përcaktuar ende, ndonëse kanë kaluar 2 vite. Sipas Ballës me vjeljen e gjobave do ishte mbushur buxheti i shtetit.

“Ligji përfshin ato që ju keni propozuar. Do të nxisja ministrinë, dhe institucionet ligjzbatuese për kërcënimet që vijnë nga kriptomonedhat. Që është nevojë për të intensifikuar luftën kundër pastrimit të parave. Kemi bërë një gjë të mirë. Në fund të fundit duhet të kalojmë përtej fjalëve, në vepra. Kemi një projektligj që vjen në ndihmë. Ato që thotë zoti Basha s’janë të vërtetë. Por ajo 1/10 që thotë zoti Basha është kërcënim, për shtetin shqiptar, për taksapaguesin shqiptar. Mos u habisni që t’i bëjë një kritikë ministrisë së Financave, në terezi qeverisë, pasi 3 muaj po bën në detyrë kjo ministri. Ju zonja ministre, qeveria miraton ligje, aktet ligjore i keni për detyrë ju. Kam votuar në këtë sallë për këtë çështje, në 2019 ku kemi bërë ndryshimet.

Kemi futur në 2019 parimin e gjobës, nëse Luli me Totyota Yaris, siç thotë Saliu, do sillte 5 mln, me parimin e gjobës, nëse personat që bënë fushatë në Laprakë për PD, që ishin personat që transportuan paratë me Toyotën, mos e harroni këtë, do të paguanin deri në 50% të shumës gjobë. Ligji nuk zbatohet. Kanë kaluar 2 vite dhe nuk është bërë VKM përkatëse për përcaktimin dhe mënyrën e vjeljes së gjobës. Shohim çdo ditë persona që kapen me para. Nëse do kishim miratuar vendimin, do kishim pasur një shumë të ardhurash në buxhet. S’ka ndodhur kjo. Ndaj Kuvendi duhet të rrisin kapacitetet monitoruese, qoftë në aspektin e monitorimit dhe në atë që shkruhet në nenin e parafundit, ku përcaktohet se për sa kohë duhet të bëhen aktet ligjore. Kemi thënë 6 muaj, kanë kaluar 2 vite. Merrni kritikën për instrument që të vihemi në lëvizje. Qytetarët presin prej nesh që të jemi shembull i respektimit të afateve.” tha Balla.

Në përgjigje ndaj tij, ministrja e Financave u shpreh se është angazhim i qeverisë ta ynë që luftën ndaj pastrimit të parave ta cojmë në një nivel tjetër

“Marr angazhimin që të kalojmë të gjithë aktet nënligjore që përcaktohen me këtë ligj, brenda afatit të përcaktuar nga Kuvendi pasi është detyra jonë që ta bëjmë këtë. Është angazhimi ynë që luftën ndaj pastrimit të parave ta cojmë në një nivel tjetër dhe është detyrë e qeverisë të miratojë gjithë aktet nënligjore.” -tha ministrja Ibrahimaj në përgjigje të kreut të grupit të PS

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: